Foto nga një mbledhje e kaluar e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria miraton propozimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Kabineti qeveritar ka miratuar propozim vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës, votimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Emrat e propozuar për anëtarë vendor që do t’i shkojnë Kuvendit për miratim janë: Mirlinda Batalli Zhubi, profesoreshë në Universitetin e Prishtinës nga fusha e drejtësisë, Avni Berisha, profesor nga shkencat e natyrës në UP dhe Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e GHENT-it në Belgjikë, nga fusha e shkencave kompjuterike.

Propozimin para kabinetit qeveritar e ka bërë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila tha se pas skadimit mandatit të katër anëtarëve vendor, është hapur thirrja për nominimin e anëtarëve për të plotësuar vendet e zbrazëta.

“Këshilli shtetëror i Cilësisë është autoritet i pavarur që akrediton dhe riakrediton institucionet publike dhe private të Arsimit të Lartë. Këshilli gjithsej ka një përbërje prej nëntë anëtarëve, nga të cilët gjashtë janë vendorë dhe tre janë ndërkombëtarë. Aktualisht pas skadimit të mandatit të katër anëtarëve vendorë, kemi vetëm pesë anëtarë në KShC për çfarë edhe është hap thirrja për nominimin e anëtarëve për të plotësuar vendet e zbrazëta”- tha ajo.

Nagavci theksoi se pas mbylljes së thirrjes publike, kanë aplikuar 17 kandidatë, nga të cilët janë përzgjedhur 13-të dhe më pas gjashtë prej tyre janë rekomanduar me përparësi.

“Pas mbylljes së thirrjes publike, kanë aplikuar 17 kandidatë, nga të cilët komisioni ka konstatuar se 13 i kanë plotësuar kushtet teknike për vlerësim të mëtutjeshëm. Nga këta 13 komisioni ka rekomanduar me përparësi gjashtë kandidatë, dhe nga lista e të rekomanduarve propozoj sot para jush këta tre anëtarë: Profesoreshën e UP-së, Mirlinda Batalli Zhubi nga fusha e drejtësisë, nga shkencat e natyrës propozoj profesorin e UP-së Avni Berisha, dhe profesor Jetmir Haxhibeqiri, profesor në Universitetin e GHENT-it në Belgjikë, nga fusha e shkencave kompjuterike”- shpjegoi Nagavci.

Komisioni vlerësues për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka finalizuar raportin me emrat e rekomanduar, në gusht të këtij viti.

Ministria e Arsimit e kishte anuluar këtë konkurs më 8 qershor për “arsye ligjore”.

Komisioni vlerësues finalizon raportin për rekomandim për anëtarë të KSHC-së