Nagavci: Nga asnjë komunë nuk kemi marrë njoftim për mungesë të librave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është deklaruar sot lidhur me çështjen e mungesës së librave shkollorë.

Sipas saj, nga asnjë komunë nuk kanë marrë njoftim për mungesë apo vështirësi me tekste shkollore.

“Nga asnjë komunë ne nuk kemi marrë njoftim që kanë mungesë apo vështirësi më tekste. Javën e kaluar kemi pasur së paku tri vizita në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës ku nuk ka informata që ka mungesë. Edhe në ato raste ku ka pasë deklarime publike kinse mësimdhënësit po i detyrojnë nxënësit të qëndrojnë me një këmbë, kemi deklarime zyrtare që nuk kanë rast të konfirmuar” – tha ajo.

Ajo tha se njoftim për mungesë të teksteve shkollore nuk kanë marrë as për klasat 6-9.

Në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend, Nagavci ka thënë se çështja e librave viteve të kaluara ka qenë biznes e klientelizëm.

“Në të kaluarën faktet tregojnë se çështja e librave ka qene një proces që më shumë ka qenë biznes e klientelizëm sepse me libra për nxënës. Ne me të marrë mandatin kemi punuar intensivisht dhe kemi finalizuar ligjin për tekste shkollore që e keni në Kuvend që do ti adresoj parregullsitë. Për çdo vit më shumë është dyfishuar buxheti për tekste se që është planifikuar. Ky subvencion i teksteve e përmbushë obligimin ligjor, por edhe ua pamundëson komunave që tekstet të mbesin në bodrumet e shkollave”- tha ajo.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, debat parlamentar “lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024”.

Debati parlamentar për çështjen e furnizimit me tekste shkollore të nxënësve të shkollave fillore ka dështuar të mbahet pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë.

Këtë vit, tekstet shkollore janë blerë nga prindërit për dallim nga vitet paraprake që janë siguruar e shpërndarë nëpër shkolla nga Ministria e Arsimit.

Mjetet për blerjen e librave do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, e cila javën e kaluar ka njoftuar se do të ndahen nga 80 euro për prindërit e nxënësve të klasave nga e para deri në të pestën për t’i blerë librat shkollorë.

Ky proces është përcjell nga një debat i gjerë publik.