Grafika: Trembelat për Kallxo.com

MASHT ndan mjete për blerje të teksteve shkollore për fëmijët në Diasporë

Ministria e Arsimit ka nënshkruar kontratë në vlerë mbi 80 mijë euro për për blerjen e teksteve shkollore të Diasporës për nivelin e parë dhe Abetaren për vitin shkollor 2023-2024.

Ministria më 12 tetor ka nënshkruar kontratë me operatorin Ekonomik “Dukagjini” Sh.p.k. në vlerë 88 mijë euro si ofruesi me çmimin më të ulët për këtë furnizim.

Sipas të dhënave në dosjen e tenderit, pritet të blihen 1,800 libra të Abetares si dhe Abetare Pune.

Derisa, do blihen edhe 6,500 copë tekste shkollore: ‘Shko Dallëndyshe’, Fjalor me Figura, teksti Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare me fletore pune.

Procesi i tenderimit është kryer me procedurë të negociaur. Ministria në njoftimin për kontratë kishte paraparë ndarjen e 110 mijë eurove për këtë furnizim.

Kallxo.com ka kërkuar detaje nga Ministria e Arsimit për mënyrën si është bërë kalkulimi për numrin e librave që do blihen si dhe mënyrën si do shpërndahen, por nuk është dhënë ndonjë detaj.

Aktualisht çmimi i Abetares në treg bashkë me librin e Punës është 10.97 euro (botimi i Dukagjinit).

Ndryshe nga vitet tjera ku nxënësve të shkollave fillore u dorezoheshin tekstet shkollore të blera nga Ministria e Arsimti, në këtë vit shkollor u bë përmes aplikimit në platformën e-Kosova, ku prindërit aplikuan për sigurim të të hollave.

Qeveria e Kosovës ndau rreth 12 milionë euro për subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve për fëmijët e tyre.

Ministria u deponoi prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.

Për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë u ndanë nga 80 euro, ndërsa për ata nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë nga 30 euro.

Ky vendim i Ministrisë pati nxitur shumë reagime pasi një pjesë e prindërve nuk kanë ditur të përdorin platformën e në disa lbrari pati mungesë të teksteve shkollore.

Pas ankesave të ndryshme, MASHT vendosi të zgjasë afatin për aplikim e të dërgojë zyrtarë nëpër komuna për të ndihmuar prindërit që ende nuk kanë aplikuar për mjete per blerjen e teksteve shkollore.

Qeveria ndan mbi 12 milionë euro për subvencionim të teksteve shkollore