SMS-i që kanë marrë qytetarët për protestën e opozitës

Qytetarët Shqetësohen Nga SMS-ët e Opozitës Për Protestë

Në përpjekje për mobilizimin e sa më shumë qytetarëve për protestën e së shtunës, partitë opozitare janë kujdesur që qytetarëve t’u dërgojnë edhe SMS.

“Ftoheni të merrni pjesë në protestë nesër, më 9 janar, në ora 14:00, te Biblioteka Kombëtare ne Prishtinë. Për shtet me sovranitet!”, thuhet ne SMS-in i cili u është dërguar sot qytetarëve.

Emri i dërguesit është OPOZITA!

Një qytetar që ka marrë këtë SMS ka raportuar në KALLXO.com duke thënë se nuk i takon asnjë subjekti politik dhe SMS-ë të tillë po e pengojnë.

“Nuk jam pjesë e asnjë partie politike, as pozitë e as opozitë. Nuk e di ku e kanë marrë numrin tim”, tha N.M. për KALLXO.com.

Për më tepër, pranuesi i SMS-it që nuk dëshiron t’i publikohet emri i plotë tregon që SMS nga dërguesi i njëjtë kishte marrë edhe për protestën e 28 nëntorit edhe për atë të vitit janarit të vitit të kaluar kur të njëjtat subjekte opozitare kërkonin shkarkimin e ish ministrit Aleksandar Jabllanoviq.

Kjo gjë asaj i pengon.

“Nuk është hera e parë. Të parafundit e kam marrë më 28 nëntor”.

“Po më pengojnë sepse jam apolitike. Nuk më intereson asnjëra parti”, thotë ajo.

SMS të njëjtë ka marrë edhe një qytetare nga Prishtina.

opozita

“Mesazhe nga partitë politike kam marrë shpesh, bile edhe në orët e mbrëmjes. Tash më vijnë mesazhe edhe nga opozita për secilën protestë”, u shpreh për KALLXO.com një qytetare nga Prishtina e cila gjithashtu nuk deshi t’i zbulohej emri.

“Deri tash nuk i kam raportuar, por nëse vazhdojnë të më dërgojnë të tilla cilado parti do t’i drejtohem Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ngase nuk i përkas asnjë subjekti”, tha ajo.

Por, ndryshe mendon zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.

“Shumica e numrave të cilëve u janë dërguar mesazhe, janë njerëz që vullnetarisht e kanë dhënë nunrin e tyre për t’i njoftuar në lidhje me aktivitetet e opozitës”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ai ka një shpjegim politik pse u janë dërguar SMS-ë të tillë qytetarëve.

“Vendi ynë po rrezikohet aq shumë nga qeveria antikushtetuese dhe marrëveshjet e dëmshme, sa që një SMS nuk mendojmë që e pengon cilindo qytetar”, shtoi Frashër Krasniqi.

Kjo nuk është hera e parë që partitë politike kanë dërguar SMS në numrat e qytetarëve. KALLXO.com kishte raportuar edhe në kohën e zgjedhjeve të vitit 2014, kur deputetët e PDK-së, LDK-së e Vetëvendosjes kishin dërguar SMS në numrat e qytetarëve duke bërë thirrje për t’u dhënë votën.

http://kallxo.com/kandidatet-per-deputete-shqetesojne-qytetaret-me-sms/

Madje për këtë një kompani ishte gjobitur, me arsyetimin që kjo përbën shkelje të privatësisë, pasi që SMS të tillë ishin dëguar në numrat e qytetarëve pa pëlqimin paraprak të tyre.

Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në 2013 kishte bërë thirrje lansuesve të SMS-ëve që një gjë e tillë bie ndesh me këtë ligj.

“Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i vë në dijeni të gjithë Kontrollorët në sektorin publik dhe atë privat, e në veçanti operatorët e telefonisë mobile, se dërgimi i SMS-ve me qëllime promovimi, pa pëlqimin e subjektit të të dhënave, përbën shkelje të dispozitave ligjore, përkatësisht të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas të cilit çdo qytetar ka të drejtën e tij për t’a kundërshtuar përdorimin e të dhënave personale, nëse të njëjtat përdorën pa dhënien e pëlqimit të tij/saj paraprak”, thuhej ndër tjera në njoftimin e ASHMDP-së.