Molliqaj: Është arrestuar Frashër Krasniqi
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka njoftuar se anëtari i kësaj partie, Frashër Krasniqi, është arrestuar pas një aksioni që bënë të enjten në mbrëmje.
Molliqaj thotë se Krasniqi është arrestuar në kufirin Kosovë-Shqipëri.
“Policia e ka arrestuar para pak çastesh edhe aktivistin tjetër Frashër Krasniqi, në kufirin Kosovë – Shqipëri. Sikurse dje, me aktivistët Donjeta Demolli dhe Gëzon Kastrati, përndjekja e këtij pushteti vazhdon edhe sot me rastin e Frashër Krasniqit”- ka njoftuar Molliqaj.
Kreu i PSD-së thotë se për partinë e tij Asociacioni i komunave me shumicë serbe është i papranueshëm dhe sipas tij “pushteti ka filluar përndjekjen”.
“Për PSD-në Asociacioni është i papranueshëm. Tash që rezistenca ndaj kësaj marrëveshje do të rritet, ky pushtet e ka filluar përndjekjen. Këto metoda autoritare të frikësimit, nuk na ndalin. Me të tilla arrestime të paligjshme, rezistenca jonë nuk zvogëlohet. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë”-ka shkruar Molliqaj.
“Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Frashër Krasniqit”- shton ai.
KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.
Molliqaj të enjten ka njoftuar se dy aktivistë të kësaj partie janë arrestuar.
Aksioni i PSD-së gjatë fjalimit të Kurtit, Molliqaj thotë se u arrestuan dy aktivistë