VIDEO - Krasniqi i PSD-së e pyet në rrugë Kusari-Lilën: A keni folë më me Radojçiqin?
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Frashër Krasniqi ka njoftuar se takuar sot në rrugë kryetaren e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke e pyetur në lidhje me bisedat telefonike me Millan Radojçiq, pas publikimit të disa auto-incizimeve javë më parë.
Krasniqi në një video në Facebook, shihet duke e pyetur Kusari-Lilën nëse “po vazhdon koordinimi me Milan Radoiçiqin” dhe se “a i keni marrëdhëniet e mira me Radojçiqin?”.
“E pyeta, a janë duke u koordinu hala me Radojçiqin. Nuk m’u përgjigj. Por heshtjen e saj e mora si pohim. Sepse Qeveria Kurti veç n’publik është kundër Serbisë. Veç kur i duhet Serbia për me i sulmu ata që mendojnë ndryshe. Ama koordinimin me Radojçiqin e ka në nivel”- ka shkruar Krasniqi.
Gazeta Nacionale ka publikuar një audioincizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Në këtë audioincizim pretendohet se Kusari- Lila ka folur për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Projektligjin për pensionet e veteranëve.
Kusari- Lila ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin, ky i fundit i kërkuar nga Policia dhe i futur në listën e zezë nga SHBA.
Kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së ka paralajmëruar se ka përgatitur dy kallëzime penale, një për Simiq dhe një për gazetarin Berat Buzhala nga Portali Naconale, i cili edhe kishte bërë publikimin e audio-incizimeve.