Universitetit i Pejës, FOTO: Facebook

Agjencia për Privatësi e urdhëron Universitetin e Pejës t`i largojë kamerat e vendosura në sallat e ligjërimit

Një ankesë e dërguar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi në fund të vitit 2022 shpërfaqi se studentët dhe mësimdhënësit në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” përgjatë procesit mësimor ishin nën mbikëqyrjen e kamerave.

Një praktikë e tillë është vlerësuar e paligjshme nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Për pasojë Universiteti i Pejës ‘’Haxhi Zeka”, është urdhëruar nga ana e Agjencionit, që ta largojë këtë sistem vëzhgimi me kamera të vendosur në sallat e ligjërimit.

Në marrjen e vendimit rol kyç për Agjencinë kishte luajtur praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkatësisht gjykimi i këtij organi në rastin Antonoviq dhe Markoviq kundër Malit të Zi, ku ndër të tjera gjykata kishte konstatuar se: “Amfiteatrot universitare janë vendet e punës së mësimdhënësve. Është vendi ku ata jo vetëm i mësojnë studentët, por edhe ndërveprojnë me ta, duke zhvilluar kështu marrëdhëniet e ndërsjella dhe duke ndërtuar identitetin e tyre shoqëror”.

Sipas interpretimit të kësaj Gjykate mbikëqyrja me video e një punonjësi në vendin e punës, qoftë e fshehtë apo jo, duhet të konsiderohet si ndërhyrje në jetën private të punonjësit dhe kjo, argumenton më tutje vendimi, përbën shkelje të nenit 8, përkatësisht të së drejtës për respektim të jetës private dhe familjare të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. 

Në arsyetimin e vendimit përveç akteve të lartcekura përbazë janë marrë edhe dispozitat e Kushtetutës të Kosovës, për të ardhur në konstatimin se Universiteti i Pejës e ka instaluar sistemin e vëzhgimit me kamerë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Tutje vendimi evidenton se zyrtarët e inspektimit nga kjo agjenci, në janar të vitit 2023, kishin realizuar inspektim në premisat e universitetit për të vërtetuar gjendjen.

Inspektimi kishte nxjerrë në pah se sistemi i vëzhgimit me kamerë ishte vendosur brenda hapësirave të ndërtesave dhe në korridore, në sallat e mësimit, si dhe në hapësirat jashtë që përfshijnë oborrin e kontrolluesit. 

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, qëllimi kryesor kur mund të instalohet sistemi i vëzhgimit në kamerë është siguria e njerëzve dhe siguria e pasurisë dhe kjo kur nuk mund të arrihet me mjete tjera.

Në kuptim të këtyre dispozitave Universiteti i Pejës ka të drejtë të instaloj sistemin e vëzhgimit me kamerë për të vëzhguar hyrjet e ndërtesave ose ku, për shkak të natyrës së punës së tyre, ekziston kërcënim potencial ndaj të punësuarve, që nënkupton se në raste të caktuara UPHZ-ja (në këtë rast në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave) mund të instaloj sistemin e vëzhgimit në ambientet e punës nëse ekziston rreziku potencial ndaj punonjësve.

Sallat e ligjërimit (amfiteatrot) në Universitet, konsiderohen ambiente të punës së mësimdhënësve. 

Gjatë procesit të inspektimit, UPHZ-ja nuk ka dëshmuar se ekziston ndonjë rrezik potencial ndaj të punësuarve apo pronës që do të arsyetonte vendosjen e kamerave me të cilën do të arsyetohej edhe qëllimi i përpunimit të të dhënave personale, përfundon vendimi.

E Dekanati i Fakultetit Juridik nga Universiteti ‘’Haxhi Zeka’’ në Pejë përmes telefonit e ka konfirmuar për KALLXO.com se këtë vendim të AIP-së e kanë zbatuar.