Raportimet pas vrasjes në Podujevë dhe shkeljet e privatësisë

Fotografi, emra dhe materiale të cilat i identifikojnë dy të mitur nga Podujeva, të dyshuar për një vrasje, vërshuan mediat e Kosovës në javën e fundit të janarit.

I riu nga Podujeva, Lulzim Fejzullahu, vdiq pas rrahjes nga dy persona të mitur.

Ligji penal në Kosovë kërkon që identiteti i personave të mitur të dyshuar për krime të mbrohet, por të dhënat tregojnë që fotografitë e të miturve të dyshuar dhe emrat e tyre u publikuan në rrjetet sociale dhe në disa media.

Burimet e informacioneve për këtë ngjarje rrodhën në media edhe nga vetë zyrtarët e institucioneve, të cilët nuk respektuan standardet e kodit të drejtësisë për të mitur.

Në një hulumtim të realizuar pas ngjarjes, KALLXO.com ka testuar disa prej institucioneve të cilat kanë ofruar qasje në të dhënat konfidenciale për këtë rast.

Në kërkesat për informacione, Shërbimi Korrektues i Kosovës, Gjykata Themelore, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, ofruan të dhëna sensitive për masat disiplinore dhe të kaluarën kriminale të dy të miturve, edhe pse kjo nuk lejohet me kodin e të miturve.

KALLXO.com kishte kërkuar nga Shërbimi Korrektues të dhëna për të dyshuarit.

Në përgjigje, Shërbimi Korrektues u ishte referuar me iniciale.

Ngjashëm edhe Gjykata Themelore e Prishtinës kishte vepruar në këtë rast.

Për dallim nga dy institucionet e lartpërmendura, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, nuk përmendi as emra, as iniciale, por zbuloi rrethana të cilat ndërlidheshin me rastin.

Këto të dhëna i njëjti i shpalosi në një konferencë për media, pasi kishte mbajtur një mbledhje të grupit për siguri në bashkësi.

Aty ai u pyet nëse me të dhënat që po shpaloste po shkel parimet e kodit, dhe nëse kishte marrë autorizim që t’i zbulonte ato të dhëna.

Ai tha se nuk po përmend emra specifikë por vetëm disa nga veprimet që kishin kryer të miturit e që, sipas tij, ai po jepte informacione që nuk pengonin në trajtim të të njëjtit rast.

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, thotë se kryetari nuk do duhej të ofronte këto të dhëna.

“Normalisht ai mundet me i mbledhë zyrtarët komunalë, drejtorët, me diskutu por jo me thirrë konferencë për shtyp e me tregu të dhëna edhe personale apo duke zbulu rrethana të tjera të cilat identifkojnë personat e mitur dhe në anën tjetër duke tregu historinë e njërit apo dy të miturve që janë përfshirë në vepër penale”- tha Mushkolaj në debat.

Mushkolaj kritikon edhe mënyrën se si raportuan disa nga mediat, të cilat, sipas tij, nuk ndoqën parimet e etikës.

“Mediat asnjëherë nuk duhet të publikojnë emrin, atësinë apo amësinë, mbiemrin, fotografinë, video apo imazhe të tjera të fëmijëve nën moshën 18-vjeçare, të cilat janë të përfshirë në vepra penale” – thotë Mushkolaj.

Ish-anëtarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, e cila për një kohë të gjatë kishte punuar edhe si gazetare e BBC-së, Violetë Hysenaj, thotë se ka konstatuar thyerje të kodit etik gjatë raportimit mbi ngjarjen në Podujevë.

“Nuk ka diskutim që kemi të bëjmë me shkelje të kodit të etikës në gazetari. Edhe si ish-anëtare e KPM por edhe ish-gazetare mund të them me përgjegjësi të plotë që mediat e kanë shkelur kodin e etikës, por edhe me publikimin e deklaratave që janë bërë edhe nga autoritetet duke shpalosur të dhëna të cilat kanë qenë krejtësisht të panevojshme”- thotë Hysenaj.

Kameramani i agjencisë “Associated Press”, Sylejman Kllokoqi, fajëson redaktorët dhe pronarët e mediave për lëshimet e gazetarëve në detaje konfidenciale.

“Mua më duket se këtu në Kosovë aq shumë ka televizione dhe po më duket se po bëjnë gara mes vete. Etikën nuk e kanë, këtu është problemi, nuk është shumë i gazetarëve problemi sepse ata nuk i dinë rregullat, faji është më shumë te redaktori apo kryeredaktori. Këta duhet me i ditë ligjet, çka guxon dhe deri ku guxon. Në mediat ndërkombëtare në qoftë se unë bëj ndonjë gabim të këtij lloji vijnë dënime shumë të ashpra, nuk guxon me botu diçka dhe hajt atje janë ligjet dhe ndërmerren”- thotë Kllokoqi.

Eksperti ligjor dhe drejtori i Zyrës Ligjore të KALLXO.com, Labinot Leposhtica, ka thënë se mediat zakonisht përdorin arsyetimin e interesit publik ndonëse në shumë pak raste mund të shfrytëzohet kjo çështjeje sidomos në publikimin e pamjeve apo informacioneve konfidenciale.

“Te rasti konkret, publikimi i pamjeve pashmangshëm konsideroj që ka qenë një shkelje goxha e rëndë, aq më tepër që nuk ka pasur as edhe një kufizim të vetëm në drejtim ndoshta të mbulimit të fytyrave, apo edhe shënimin e paralajmërimit që është diçka esenciale kur vendosim me publiku pamje të cilat janë tronditëse, shqetësuese dhe aq më shumë kur dihet që nuk kemi filtra sepse e kemi parasysh që edhe fëmijët e moshave të vogla munden me pasë qasje në ato pamje dhe janë publiku pa asnjë filtër duke u thirrur në interesin publik”- tha Leposhtica.

Nxitja e urrejtjes përmes deklaratave publike

Raportimet joprofesionale dhe komentet e pabazuara në studiot televizive nxitën reagime dhe gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale.

Kodi i drejtësisë për të mitur parasheh dënime deri në 10 vite për fëmijët që kryejnë krime dhe ky element u bë pretekst për dhjetëra thirrje me përmbajtje dhune ndaj akterëve të ngjarjes.

Deklaratat e publikuara në media si:  “Të miturit do duhej të vareshin në shesh”, “Të kthehet dënimi me vdekje”, eksperti ligjor Labinot Leposhtica thotë se duhet të trajtohen me kujdes në mënyrë që këto mos të shkaktojnë më pas edhe nxitje për kryerje të veprave penale.

“Konsideroj se udhëheqësit e emisioneve, moderatorët, duhet me pasë shumë kujdes kënd po e ftojnë për tema specifike, duhet t’i lajmërojnë për pasojat e deklarimeve të tyre dhe thirrjet të tilla të cilat në esencë mund të përbëjnë edhe nxitje për kryerje të veprës penale. Thirrjet për ekzekutime publike në shesh, thirrje për dënime me vdekje për të mitur nuk kanë bazë në asnjë legjislacion, as në Mesjetë nuk ka shembuj të tillë, e ne u japim hapësirë personave të tillë”- thotë Leposhtica.

Tutje i njëjti shtoi se Komisioni i Pavarur për Media duhet të trajtojë me seriozitet këto çështje.

“KPM përkundër që ka një departament monitorimi dhe do të duhej të vepronte në bazë të detyrës zyrtare, ata rrinë tërësisht të heshtur”- shtoi ai.

Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara, Imer Mushkolaj, thotë se ekzistojnë pasojat mbrapa deklaratave që jepen nëpër debate të ndryshme dhe të njëjtat duhet pasur kujdes se si transmetohen.

“Debatet për me i kthy dënimet me vdekje jo veç për të mitur por për të gjithë, ka pasur për rastin konkret, nuk është e ndaluar me diskutu cili dënim është më i mirë, për mua është problematike kur dikush thotë po për rastin konkret duhet dënim me vdekje dhe mediat më pas me qëllim i japin hapësirë personit të caktuar pa u sfidu në aspektin profesional se pse është i mirë ai dënim apo i keq”- thotë Mushkolaj.

“Nuk mundet me kanë një familjar me marrë lajmin ma përpara nga gazetari sesa nga institucionet përkatëse”- shton Mushkolaj.

Kameramani Kllokoqi tregon se në cilat raste trajtojnë këto deklarata dhe i publikojnë ato në median ndërkombëtare “The Associated Press”.

“Janë rregulla, janë kodet, nuk guxon askush në Perëndim që t’i thyejë këto kode. Te ne nuk guxojmë të lëmë anash. Për shembull, po kthehem, unë kam xhiru Reçakun, dhe kur i kemi dhënë pamjet i kemi dhënë pamjet i kemi dhënë në formë të zgjeruar pa u identifikuar fytyrat, mos me i dallu ata, fuqinë e ka marrë ajo ngjarje kur e ka dhënë deklaratën Walker. Kam pasë xhirime që i kam marrë për arkiv, por asnjë nuk e kemi publikuar”- shtoi Kllokoqi.

Violetë Hysenaj, ish-gazetare e BBC-së, thotë se mediat kanë gjykuar dhe kanë marrë role të cilat e tejkalojnë interesin publik.

“Deklaratat e tilla janë nxitje për dhunë dhe gjëra të tilla nuk duhet të lejohen jo vetëm kur e kemi debatin e xhiruar më parë dhe mund të filtrohen por edhe kur një emision është drejtpërdrejtë duhet t’i ndërpresim”- thotë Hysenaj.

Labinot Leposhtica, ndërkaq, thotë se mediat kanë raportuar me vëmendje në vend të gabuar.

“Vëmendja duhet të ishte te institucionet, jo vetëm te komuna por edhe institucionet qendrore. Gazetarët kanë raportuar dhe janë fokusuar dhe kanë shpalosur detaje që kanë të bëjnë me personalitetin. Kjo është diçka që i përket prokurorit të shtetit e jo gazetarit, e aq më pak kur nuk i kontribuon fare rastit”- thotë Leposhtica, shefi i Zyrës Ligjore të KALLXO.com.

Gjatë debatit u tha nga panelistët se problemi qëndron te menaxhmenti që nuk udhëzon si duhet gazetarët për të raportuar nga situata të ndryshme.

Informacionet jozyrtare dhe dezinformimi

Raste të shumta duke përmendur edhe rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, por edhe raste që ndërlidhen me veriun e vendit, raportimet zunë vend edhe në ballinat e mediave online e gazetave në Shqipëri e Serbi.

Dhjetëra lajme të cilat u publikuan u konsideruan të rreme. Disa të tilla i konstatoi edhe Krypometri.

“Për rastin e Liridona Ademajt, mediat në Shqipëri kanë kry masakër mediale. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Mënyrën si i janë qasur me individë, me rrethana, për mua ka qenë skandaloze qysh është raportu për atë rast dhe thjesht nuk e kam kuptu insistimin e tyre sepse ata kishin raste të ngjashme brenda territorit të Shqipërisë që janë të përditshme, dhe nuk raportonin qysh kanë raportu për rastin që e përmenda, dhe kjo më pas kalonte edhe në debate televizive me informata që merreshin si të mirëqena prej publikut sepse ata që i thoshin bazoheshin siç thoshin “në informacione të prokurorisë”. Paramendo ne që ishim këtu nuk i kishim ato informacione e ata thoshin që kanë informacione nga sistemi i prokurorisë”- tha Mushkolaj.

Labinot Leposhtica thotë se mediat në raste të ndryshme përpiqen të shfaqin mjegull për të ndryshuar kahun e ndonjë rasti të caktuar dhe që nuk është e rastësishme.

“Shpeshherë e injorojmë apo neglizhojmë një dëm anësor që shkaktojnë përpos ndërhyrjes në privatësi, konsideroj edhe e kanë edhe një dëm më serioz, që është dhënia e kahut të hetimeve për një çështje të caktuar. Nuk mendoj se janë të rastësishme, insistimi me i dhënë kah të caktuar një rasti që i përgjason skenarëve të filmave se sa ajo që është në shkresa të lëndës mendoj se shkakton një mjegulli lidhur me një rast konkret që me i dhënë kah një hetimi të caktuar. Kjo është bërë praktikë e shpeshtë”- tregon Leposhtica.

Sylejman Kllokoqi thotë edhe se gazetarët duhet të mbajnë trajnime për të raportuar sepse nuk dinë për kodet dhe raportimin etik.

“Shumë duhet me u marrë me dënime, dënime, në qoftë se bën shkelje duhet të dënohen, jo dënime 500 euro, 1 mijë euro, le të dënohen me nga 100 mijë besoj se nuk do të ketë shkelje, por në qoftë se tolerohen, më vjen keq por është bërë një xhungël, kush çka do jep, dalin njerëzit edhe me rrena, kjo nuk është demokraci, kjo është anarki”- thotë Kllokoqi.

Violetë Hysenaj thotë se ekziston vullneti nga ana e institucioneve mbikëqyrëse për të trajtuar problemin e raportimit profesional por që edhe mediat në vetvete duhet të kenë vullnetin të nisin rritjen e kualitetit të asaj që prodhojnë.

“Duhet të ketë vullnet për të qenë vetëkritik për me i pranu kritikat që bëhen dhe të kenë vullnet që të përmirësojnë gjendjen. E kuptoj që mediat tona janë të rënduar në aspketin ekonomik, nuk kanë mundësi të punësojnë shumë staf, zyrtar ligjor, por duhet të ketë vullnet brenda secilës redaksi që të përmirësohet kualiteti i informacionit. Ky është mision i vështirë por jo i pamundur”- thotë Hysenaj.