Foto: OSBE

Qeveria dhe OSBE Pajtohen për Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Qeveria e Kosovës dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë kanë arritur marrëveshje që kjo e fundit ta lehtësojë procesin e votimit të serbëve të Kosovës për zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Misioni i OSBE-së.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë konfirmon se do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill 2016. Misioni është në fazën e planifikimit të detajeve operacionale dhe do ta njoftojë publikun për çdo gjë”, thuhet në deklaratën e Misionit.

Gjatë ditës së djeshme, Zëvendës Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, tha për KALLXO.com seQeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin që t’iu mundësojë qytetarëve të Republikës më dyshtetësi që të përdorin të drejtën e tyre “por jo në zgjedhjet e tipit klasik”.

Operacione të ngjashme të grumbullimit të votave për zgjedhjet e Serbisë brenda Kosovës, OSBE kishte ndërmarrë edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 dhe 2014.