Fushata "Dhuna nuk arsyetohet"

Qalaj: Nuk do të tolerohet dhuna në familje

Policia e Kosovës sot ka bërë hapjen e fushatës “Dhuna nuk arsyetohet’’, për vetëdijesimin dhe parandalimin e dhunës në familje.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se dhuna në familje nuk tolerohet në të ardhmen.

Sipas tij kjo do të bëhet duke kontribuar të gjithë bashkërisht për parandalimin e dhunës.

“Dhuna absolutisht nuk tolerohet dhe nuk do të tolerohet, kërkoj sidomos nga gjenerata e re këtu, ta respektojnë familjen, meqenëse do ta respektojnë vetveten dhe kjo fushatë e ka edhe këtë qëllim. Ta japim një mesazh bashkërisht, që dhuna të largohet nga shtëpitë tona, kërkoj nga të gjithë që kudo që shihni, kudo që dëgjoni të raportoni Policinë e Kosovës në numrat zyrtar që i ka, që me kontributin e të gjithëve ta ndalojmë dhe ta minimizojmë dhunën në familje’’, ka thënë Qalaj.

Ndërsa përfaqësuesi i misionit të OSBE në Kosovë, Wolfgang Nikolaus ka thënë se dukuria e dhunës në familje nuk është problem vetëm në Kosovë por është një fenomen i njohur globalisht.

“Dhuna në familje është një problem global që veçanërisht prek gruan dhe këtu nuk përjashtohet as Kosova. Misioni ynë në Kosovë, do të vazhdojë që të përkrahë institucionet, Policinë e Kosovës dhe veçanërisht viktimat e dhunë në familje. Në vitet e ardhshme kjo do të jetë prioritet për ne si mision’’, ka deklaruar Nikolaus.

Igballe Rugova, drejtoreshë e Rrjetit të grupit të grave tha se dhuna në familje është krim sepse kohëve të fundit po merr edhe jetë. Ajo ju bëri thirrje institucioneve përkatëse për të bërë më shumë në këtë drejtim.

“Rrjeti i grave e përkrah çdo iniciativë që çdo institucion e merr kundër dhunës në familje, prandaj e përgëzojmë këtë iniciativë tuajën’’, tha Rugova.

Kjo fushatë është organizuar nga Policia e Kosovës e përkrahur nga OSBE-ja dhe do të mbahet në tetë komuna të Kosovës deri më datën 3 nëntor.

Fushata ka për qëllim ndalimin e dhunës ne familje, ngritjen e vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit tek profesionistët që merren me këtë fenomen.