Propozohen Sërish Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin me emrat e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës, të cilët do t’ia propozojë Kuvendit.

Kryetar është propozuar Valon Prestreshi, zëvendëskryetar Ahmet Krasniqi dhe anëtarë Fatime Haziri, Mehmet Ballazhi dhe Shaqir Morina.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se ky vendim është aprovuar edhe më 15 mars, porse, sipas tij, dy kandidatë i kanë ndërruar pasi është vërejtur se mund të kenë probleme ligjore sa u përket kushteve të kërkuara.

“Ne e kemi aprovuar këtë vendim më 15 mars. Më vonë jam informuar se disa nga kandidatët mund të kenë probleme sa i përket kushteve ligjore për arsye se ligji ndalon që ata të kenë marrëdhënie pronësore me firma, të jenë aksionarë ose pronarë të firmave të caktuara. Kemi vërejtur se dy kandidatë prej tyre mund të kenë probleme të tilla”, tha ai.

Sipas Mustafës, këta persona janë ftuar pasi i kanë parë që figurojnë në regjistrin e bizneseve dhe i kanë ndërruar.

KALLXO.com ka përcjellë edhe mbledhjen e 15 marsit. Herën e kaluar kanë qenë të propozuar Kujtim Raqi kryetar dhe Sokol Krasniqi anëtar, të cilët sot janë zëvendësuar me Valon Prestreshin kryetar dhe Shaqir Morina anëtar.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar disa herë për këtë Komision.

Qeveria e Kosovës për më shumë se katër vjet ka lejuar që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të jetë jofunksional. Ky mekanizëm shtetëror nuk ka asnjë anëtar të bordit.

Gazeta kishte shkruar se problemet me këtë trupë drejtuese kanë nisur që nga nëntori i vitit 2011 kur dy prej pesë anëtarëve u skadoi mandati, pastaj kishin mbetur vetëm tre. Dy vjet më pas, në nëntor të 2013-ës, u skadoi mandati edhe dy të tjerëve. Dhe Komisioni kishte mbetur vetëm me një anëtar të mandatuar, të cilit i skadoi mandati në prill të vitit 2015.

Qeveria Lejon ‘Paralizimin’ e Anti Monopolit

Kryesuesi i Shpërfillur

Gjithashtu, Gazeta ka shkruar edhe për udhëheqësit e AKK-së të cilët kanë qenë pjesë e partive dhe biznesit.

Rregullatori i Konkurrencës Nën Menaxhim të Çrregullt

Rregullatori i Tregut Është Jofunksional

Biznesmenët e Fuqishëm Mbikëqyrin Konkurrencën