Mbledhja e Qeverisë në detyrë, Foto: KALLXO.com

Qeveria rrit shtesat për lehonat në 500 euro në muaj

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nga ky muaj do të rriten shtesat për lehonat në Kosovë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë në detyrë, të mbajtur sot më 22.05.2026, Kurti e quajti vendimin “superlajm”, derisa bëri të ditur se shtesat për lehonat do të bëhen 500 euro në muaj, aq sa do të jetë edhe paga minimale nga muaji tjetër.

“Nga ky muaj do t’i rrisim shtesat për lehona. Shtesat për lehona po i rrisim në 500 euro në muaj, sa paga minimale. Nuk po e presim korrikun, kur paga minimale bëhet 500 euro, por rritjen po e bëjmë qysh tani.”- deklaroi Kurti.

Ai tha se ekzekutivi nuk do ta pres hyrjen në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh në muaj, e paralajmëruar për muajin korrik, por rritja e shtesave do të nis menjëherë.

Deri më tani për lehonat e papunësuara shtesat kanë qenë 325.9 euro neto për gjashtë muaj, ndërkaq për lehonat e punësuara, Qeveria ndanë shtesë me vlerë të njëjtë për tre muaj.

Lehonat e punësuara marrin vlerën e pagës minimale për tre muaj, sipas Ligjit të punës.