Ndertesa e Qeverise, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo:Atdhe Mulla.
Qeveria Lejon ‘Paralizimin’ e Anti Monopolit
Dyshimet dhe akuzat për krijim të monopolit nuk mund të trajtohen nga shteti. Mekanizmi që duhet të trajtojë rastet e monopolit nuk është funksional. Ka tetë muaj që trupi drejtues i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës nuk ka asnjë anëtar.
Trupi drejtues njihet ligjërisht si Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Problemet me këtë trupë drejtuese kanë nisur që nga nëntori i vitit 2011 kur dy prej pesë anëtarëve u skadoi mandati. Mbeten vetëm tre. Dy vjet më pas në nëntor të 2013-ës u skadoi mandati edhe dy të tjerëve. Komisioni mbeti vetëm me një anëtar të mandatuar.
Anëtarit të fundit i skadoi mandati në prill të këtij viti.
Gani Asllani ka treguar për Gazetën Jeta në Kosovë për kohën kur ka punuar si i vetëm në bord dhe pamundësinë për të marrë vendime.
“Gjatë kësaj periudhe sa kam qenë një vit e më tepër kam koordinuar aktivitete, por nuk kemi marrë vendime që e prekin fushën e konkurrencës sepse me ligj nuk kam pasë të drejtë,” tha ai.
Asllani tha se ky Komision është i nevojshëm dhe shumë i rëndësishëm.
“Natyrisht që është i nevojshëm sikurse rregullatorët tjerë. Ky është një prej rregullatorëve shumë të rëndësishëm që ka të bëjë edhe me mbrojtjen e konkurrencës për ekonomi të tregut,” theksoi Asllani.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2008.
Është organ i pavarur dhe ka përgjegjësinë dhe autoritetin për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës si dhe promovimin e konkurrencës ndërmjet ndërmarrjeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës përbëhet prej 5 anëtarëve, kryetarit të Komisionit dhe 4 komisionarëve të cilët i emëron Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, mbikëqyret nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. Kurse, kryetarin dhe anëtaëet e tjerë të Komisionit i zgjedh Qeveria përmes konkursit të hapur dhe ia dërgon Kuvendit të Kosovës për emërim.
Gazeta Jeta në Kosovë, i ka dërguar pyetje Zyrës së Kryeministrit lidhur me mosfunksionimin e këtij organi drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Në janar të vitit 2014, Fitim Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, pati thënë për
Gazetën Jeta në Kosovë se është shpallur konkursi për anëtarë të Bordit të Komisionit të Konkurrencës dhe se aktualisht është duke u bërë intervistimi i atyre që kanë konkurruar.
Por Zyra e Kryeministrit nuk dha përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë se pse ende nuk kanë përfunduar procedurat e konkursit dhe se kur parashihet t’i dërgohen për miratim në parlament emrat e të nominuarve për anëtarë të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Gazeta Jeta në Kosovë pyeti edhe anëtarët e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik që mbikqyrë këtë organ shtetëror.
Raif Qela, deputet i Lëvizjes për Bashkim pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se në fund të vitit të kaluar, atëherë kur është krijuar qeveria e re, parlamenti ka dërguar në qeveri listën e agjencive të pavarura që nuk kanë bord drejtues.
“Në disa prej këtyre agjencive të pavarura ka përfunduar procesi i kompletimit të bordeve, por janë edhe një sërë të tjera të pakompletuara apo krejtësisht jofunksionale,” tha Qela.
Ai thotë se Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik nuk ka informacione se në cilën fazë është konkursi për anëtarë të bordit drejtues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
“Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, çështja e bordeve jofunksionale është shtruar shpesh. Për disa prej tyre akoma nuk është hapur konkursi. Dëmet e kësaj mungese janë të mëdha: nuk ke adresë ku të ankohesh për shkelje të parimit të tregtisë së lirë dhe si pasojë, ligjërisht, nuk mund të luftohet monopoli,” u shpreh Qela.
Qela tha se është i informuar se këtij institucioni i janë drejtuar edhe ankesa tepër të ndjeshme për çështje të monopolizimit të fushave të caktuara, por në mungesë të bordit, ankuesit nuk kanë marrë përgjigje. Por për kënd bëhet fjalë, Qela nuk ka dashur të flasë.
Gazeta Jeta në Kosovë u ka dërguar pyetje edhe disa anëtarëve tjerë të komisionit.
Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, i ka pranuar pyetjet e gazetës Jeta në Kosovë, ndërkaq nuk ka kthyer përgjigje. Njëjtë edhe kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje” i cili është edhe zëvendëskryetar i parë i këtij komisioni nuk ka kthyer përgjigje.
Lavdim Hamidi, redaktor në Gazetën “Zëri”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se pozitën monopoliste në treg e mbajnë kryesisht bizneset e lidhura me partitë në pushtet.
“Të qarta janë arsyet se pse për më shumë se dy vjet nuk është kompletuar Bordi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Që nga ajo kohë, pra nga viti 2013, ky institucion nuk ka zhvilluar hetime dhe nuk ka marrë vendime ndaj bizneseve që mbajnë pozitë monopoliste në treg, të cilat e dëmtojnë konkurrencën e lirë,” tha Hamidi.
Ai tha se qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa duhet sa më parë ta zgjidhë këtë situatë, duke propozuar ekspertë të pavarur në bord, e jo militantë partiakë siç kanë qenë deri më tani, sepse konkurrenca jo fer i dëmton rëndë konsumatorët.
Gjithashtu sipas tij duhet përkrahur këtë institucion për të zhvilluar hetime të pavarura, ndaj të gjitha bizneseve dhe vendimet e tyre që janë kryesisht me gjoba financiare, të realizohen.
“Një Autoritet i Konkurrencës jofunksional padyshim se u përshtatet më së shumti bizneseve të fuqishme, të cilat e keqpërdorin pozitën e tyre në treg pa u penguar nga askush dhe në kurriz të konsumatorëve të varfër në vend,” tha ai.
Ndërkaq Agron Demi, nga instituti GAP, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se gjatë fushatës zgjedhore është premtuar se do të funksionalizohet ky autoritet. Mirëpo, sipas tij, edhe me tej ky institucion i pavarur nuk është funksional.
Por Demi nuk pret shumë nga ky institucion edhe nëse vendoset që të funksionalizohet bordi drejtues.
Sipas tij, duke parë vendimet e fundit të Qeverisë dhe Kuvendit për plotësimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, agjencive të pavarura dhe Gjykatës Kushtetuese, nuk ka shpresë se emërimi i anëtarëve në Autoritetin e Konkurrencës do të bëhet në baza profesionale dhe jopartiake.
“Kuvendi ka përgjegjësinë kryesore, si themelues dhe mbikëqyrës i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Edhe në kohën kur ka qenë funskional bordi, ky institucion ishte i politizuar, ngase aty ishin dërguar njerëz nga politika,” tha Demi.
Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më herët lidhur me parregullsitë e Komisionit Kosovar të Konkurrencës kur tre anëtarët e mbetur të komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, në korrik të vitit 2013 e kanë shpërfillur autoritetin e njëri-tjetrit. Këto shpërfillje ata i shfaqën publikisht gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Gjithashtu, gazeta ka shkruar edhe për udhëheqësit e AKK-së të cilët kanë qenë pjesë e partive dhe biznesit