Fotografitë e viktimave civile shqiptare të masakrës në Mejë të Gjakovës nga lufta e vitit 1999.
Prokurori i EULEX: Të Dyshuar për Mejën, Zyrtarë të Lartë të Qeverisë dhe Ushtrisë Serbe
Prokurori i EULEX-it, duke folur për bashkëpunimin rajonal në mes të shteteve të ish- Jugosllavisë në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, tha se të dyshuar për masakrën e Mejës janë edhe persona që aktualisht punojnë në hierarkinë e lartë të qeverisë dhe ushtrisë së Serbisë.
377 civilë shqiptarë u vranë në Mejë të Gjakovës në prill të vitit 1999 nga forcat serbe gjatë një operacioni të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.
Në konferencën e organizuar nga BIRN për procedimin e rasteve të krimevetë luftës dhe bashkëpunimin rajonal që po mbahet në Sarajevë, prokurori Hardaway tha se Kosova është duke u mbajtur jashtë këtij bashkëpunimi.
Gjatë prezantimit, ai foli edhe për hetimet për masakrën në Mejë.
“Sipas hetimeve tona, të dyshuar për masakrën e Mejës janë zyrtarë të lartë të Qeverisë dhe Ushtrisë serbe”, tha Hardaway.
http://kallxo.com/varret-e-parregulluara-te-martireve-rendojne-dhimbjen-ne-meje/
Hardaway më tej duke folur për benefitet e shteteve të rajonit nga protokollet e bashkëpunimit në mes tyre, protokolle në të cilat nuk bënë pjesë Kosova për shkak se ende nuk njihet si shtet nga Serbia dhe Bosnja, përmendi edhe shembuj konkret.
“Në hetimin e masakrës së Mejës kemi hetim të dyfishtë penal. Një hetim është duke e bërë Republika e Serbisë dhe një Prokuroria Speciale dhe EULEX-i në Kosovë”, tha ai duke shpërfaqur mungesën e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rastet e krimeve të luftës.
Prokurori Hardaway në këtë konferencë gjithashtu tha se tashmë prokurorët dhe gjykatësit vendorë janë të gatshëm për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, ndërsa si shembull përmendi hetimin nga prokurorët vendorë në një rast të krimeve të luftës që po bëhen ndaj Fatmir Limajt.
http://kallxo.com/ne-meje-kerkohet-angazhim-per-te-pagjeturit/