Osmani para mbledhjes së KS të OKB-së: Me këto heroina do ta përsërisim kërkesën tonë për drejtësi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është paraqitur nga Nju Jorku me një videomesazh bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyhrete Tahirin.

Ajo ka thënë se këto katër heroina janë simbol i forcës, i guximit, i mbijetesës por edhe i sukseseve të Kosovës.

Osmani ka bërë të ditur se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do ta përfaqësojnë së bashku Kosovën dhe do të sigurohen që të dëgjohet zëri i qytetarëve.

“Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Edhe pse është ndër mbledhjet e rregullta që mbahen për Kosovën, ne do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë. Do të sigurohemi që të dëshmojmë se Kosova është storie suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës së jashtëzakonshme. Do të tregojmë edhe për rreziqet e sigurisë me të cilat ne po përballemi për shkak të veprimeve destabilizuese të Serbisë dhe po ashtu do të rrisim dhe do ta përsërisim kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi”- ka thënë ajo.

E para e shtetit ka shtuar se do të sigurohet që e vërteta të dëgjohet në këtë mbledhje.

“Fatkeqësisht 25 vjet pas luftës, ende nuk ka drejtësi për 13 mijë viktima civile, nuk ka drejtësi për mijëra gra të dhunuara nga forcat serbe, për mijëra fëmijë që janë vrarë, e as përgjigje për mijëra të zhdukur me dhunë. Do të sigurohemi që e vërteta të dëgjohet dhe të mbrohet”- ka thënë ajo.

Presidentja, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në seancën e cila do të mbahet sot më 22.04.2024.

Seanca pritet të nis në ora 16:00, sipas kohës lokale në Kosovë.

Sipas njoftimit, Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.