Imami Shefqet Krasniqi në seancën e sotme gjyqësore. Foto: Kallxo.com

Prokurori Cakton 'Vijat' e Akuzave Ndaj Shefqet Krasniqit

Në gjykimin e sotëm ndaj imamit Shefqet Krasniqi, përpos fjalës hyrëse sot është paraparë të dëgjohen tre dëshmitarë të prokurorisë por vetëm dëshmitari Suad Mustafa është i pranishëm në seancën e sotme.

Dy të tjerët nuk kanë ardhur dhe gjykata nuk ka dëshmi nëse ata janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Shefqet Krasniqi edhe në shqyrtimin gjyqësor deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprat që akuzohet dhe gjithashtu i pyetur se a do të deklarohet apo mbrohet në heshtje ai u përgjigj se “patjetër që do të deklarohem”.

Prokurori i rastit, Elez Blakaj, tha se Prokuroria është e bindur se pas administrimit të provave do të vërtetohet se i akuzuari “ka shpërndarë mesazhe që kanë përmbajtur gjuhë të urrejtjes dhe që kanë nxitur të tjerët të shkojnë në zonat e luftës”.

“Këtë do ta dëshmojmë edhe përmes tre dëshmitarëve që do të tregojnë për familjarët e tyre”, tha prokurori Blakaj.

Sipas tij, dëshmitarja Minire Heta do të tregojë për djalin e saj se si ka praktikuar fillimisht besimin dhe si pastaj është radikalizuar.

“(Kjo dëshmitare) e veçon hoxhën Shefqet Krasniqi si ka ndryshuar qasjen ndaj familjes, si e përshkruan hoxhën Shefqet duke thënë se vetëm Zoti dhe Shefqet Krasniqi i dinë të gjitha”, tha Blakaj.

“Dëshmitarja Nasere Ademi do të tregojë për vajzën e saj se si pasi ka dëgjuar ligjëratën e Shefqet Krasniqit ka ndryshuar qasjen dhe është izoluar dhe pastaj për një moment ka udhëtuar për në Siri”, tha Elez Blakaj.

Dëshmitari tjetër, Suad Mustafa, sipas prokurorit, do të dëshmojë për vëllaun e vet Ilirin i “cili ka pasur mospajtime madje edhe me gjyshin e vet për praktikimin e ritualeve fetare dhe se si mund të ndihmohen nevojtarët në Siri përmes ndihmave ose lutjeve”.

“Dëshmitari tregon se si ndryshimi i personalitetit të vëllait të tij ka ardhur pasi ka dëgjuar ligjëratat e Shefqet Krasniqit”, tha ai.

Avokati i Shefqet Krasniqit, Sevdali Zejnullahu tha se inicimi penal dhe hetimi deri më tani ka qenë “i pabazuar dhe si pasojë e saj ka ardhur deri te një situatë e tillë që të ngritet kjo aktkauzë mbi prova të pambështetshme”.

“Do ta keni rastin të shihni se kjo aktakuzë është ngritur mbi bazën e hamendësimeve duke bërë krahasime dhe shkëputur në mënyrë fragmentare provat dhe duke anashkaluar në tërësi pasqyrën e vërtetë të tyre”, tha avokati Zejnullahu.

Sipas tij, provat nuk janë në përputhje me të vërtetën.

“Do të shihni se provat e tjera të drejtpërdrejta janë injoruar nga ana e prokurorisë dhe që vërtetojnë të kundërtën e shtytjes dhe ju do ta gjeni se i mbrojturi im ka thanë shprehimisht se “nuk është obligim me shku në Siri”, tha Zejnullahu gjatë seancës.

Duke folur për pikën e dytë të aktakuzës, ai tha se kjo paraqet “keqinterpretim të ligjëratave fetare dhe dhënies së një konotacioni që nuk ka të bëjë me të vërtetën”.

“Shefqet Krasniqi padrejtësisht ngarkohet me këtë aktakuzë dhe nuk do të futem me tej të analizoj nëse dispozitivët e aktakuzës janë në përputhje me ligjin por varësisht nga rrjedha e procedurës rezervoj të drejtën me paraqit edhe prova të reja që u mbrojturi im nuk i ka kryer veprat për të cilat akuzohet”, tha avokati Sevdali Zejnullahu..

Shefqet Krasniqi, ish imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar dhe për shmangie nga tatimi.

Në aktakuzë konstatohet se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimit e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Shefqet Krasniqi, në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun. Përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste.  Sipas aktakuzës, Krasniqi ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, i pandehuri si tatimpagues dhe pronar i biznesit N.T “Portat”, ka fshehur dhe shmangur tatimin, me dashje ka dhënë të dhëna të pasakta, si dhe nuk i deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke iu shmangur obligimeve tatimore në vlerë të përgjithshme prej  20,208.57 €.