Mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, reagon ish-prokurori Elez Blakaj
Ish-prokurori special, Elez Blakaj, i cili u bë veçanërisht i njohur për publikun pasi u mor me rastin “Veteranët e UÇK-së”, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të mos e dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Ai përmes një postimi në Facebook e ka emërtuar rrjedhën e kësaj ngjarjeje si “Shkas dhe Pasojë.”
Sipas tij, shkeljet e evidentuara edhe nga organizma të tjerë nuk do të kalojnë te Presidenca.
“Shkeljet e evidentuara gjatë procesit të monitorimit në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, nga institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë, por edhe shoqëria civile, nuk kalojnë tek institucioni i Presidentit të Shtetit!” – ka shkruar Elez Blakaj.
E për cilësitë e, siç iu ka referuar ai, “interpretuesve” të vendimit të Osmanit ka përdorur shprehje interesante.
“Të gjithë ata të cilët provojnë të bëjnë interpretime lidhur me vendimin/njoftimin e Presidentes së Shtetit, shkëputur nga problemet e evidentuara gjatë procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit janë të njëanshëm ose të verbër profesionalisht!”.
Ish-prokurori, tashmë i shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka konsideruar se me veprimin e saj presidentja Vjosa Osmani ka ushtruar kompetencat e saj në mbrojtje të integritetit dhe autoritetit funksional të institucionit të Prokurorit të Shtetit.
Sipas Blakajt, një veprim ndryshe do të përbënte shkelje.
Ai ka kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese, duke e akuzuar se po aplikon standarde të dyfishta për situata të ngjashme dhe pozitë të njëjtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar dje se nuk do ta dekretojë Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit për shkak të “shkeljeve masive” në procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Siç jeni në dijeni procesi është konsideruar i parregullt. Shumica e shkeljeve që janë pjesë e vlerësimin të presidencës janë bërë publike nga organizatat joqeveritare dhe ambasadat. Përgjegjësia ime më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë vlerat fundamentale të mos rri duarkryq” – ka thënë ajo.
Presidentja nuk e dekreton Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit