Reagon ish-prokurori Blakaj: I neveritshëm niveli i debatit në Kuvend

Ish-prokurori i Kosovës, Elez Blakaj, e ka quajtur të neveritshëm nivelin e debatit në Kuvend, pasi që emri i tij u lakua sot aty.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i tha deputetit Ramush Haradinaj se Blakaj është detyruar të lëshojë vendin për shkak të tij, pasi që, siç tha ajo, Haradinaj i kishte kërkuar atij raport për atë që ka në adresim.

“E neveritshme të dëgjosh nivelin e debatit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, studio televizive dhe media të ndryshme duke folur për drejtësi, me theks të veçantë ata të cilët dje shanin e organizonin konferenca për shtyp e vraponin pas debateve në televizione të ndryshme, e sot na shesin moral – hipokrita klasik!” – ka shkruar Blakaj në Facebook.

Ai tha se secili qytetar, në veçanti institucionet, duhet ta lajmërojnë çdo dyshim për secilën vepër penale dhe të bashkëpunojnë ngushtë me organet kompetente në interes të zbardhjes së rastit, pavarësisht emrit të të dyshuarit e po ashtu sjelljes, motivit dhe performancës së zbehtë të organeve të drejtësisë.

“Është e dukshme dhe e kuptueshme se përfituesit më të mëdhenj nga e gjithë kjo rrëmujë janë të gjithë ata të cilët nuk janë të interesuar të ketë reforma në drejtësi” – ka shtuar ish-prokurori.

Madje sipas tij të gjithë këta përfitues, luten vazhdimisht që të ketë sa më shumë debate, tensione, komente dhe përplasje të tilla sepse kështu mbijetojnë. Prandaj, ai vlerësoi se sa më pak që flitet për “drejtësinë”, aq më shumë reforma do të ketë.

Në fund të postimit, ai pati edhe një porosi për gazetarët, duke kërkuar nga ta që të kërkojnë informacione për fatin e mijëra lëndëve të regjistruara si PPN (penale të ndryshme). Ai tha se është e frikshme si trajtohen ato dhe çfarë fshihet aty.