Agim Çeku FOTO-KALLXO.com

Agim Çeku flet pas sfidës nga prokurori Blakaj për publikimin e inçizimeve në rastin “Veteranët”

Kryetari i komisionit shtetëror për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së Agim Çeku ka folur pas deklaratave të ish- prokurorit special, Elez Blakaj i cili publikisht i sfidon anëtarët e komisionit që t’i publikojnë audio inçizimet e mbledhjeve të komisionit.

Këto inçizime ishin përdorur si prova në aktakuzën ndaj anëtarëve të komisionit të lartcekur për fryrje të listave të veteranëve të luftës. Kujtojmë se Gjykata Themelore e Prishtinës i liroi 12 të akuzuarit nga kjo akuzë.

Ndërkaq prokurori i rastit Valdet Gashi tha se inçizimet nuk ishin transmetuar në seancë për shkak të pamundësisë teknike në gjykatë.

Lidhur me këto inçizme, vet Çeku deklaroi për KALLXO.com se nuk i posedon ato.

“Unë nuk i kam ato audio incizime, prokurori i ka dhe ai duhet me i publiku. Ato janë procesverbale të takimeve dhe prokuroria i ka krejt. Kurrfarë problemi nuk paraqet për mu publikimi i tyre, krejt ato janë transparente, çdo takim ka qenë transparent të gjitha materialet i ka prokuroria dhe është krejt çështje e tyre”, tha Çeku.

Mbrëmë ish- prokurori special Elez Blakaj përmes një postimi në profilin e tij në Facebook u shfaq i zhgënjyer me lirimin e 12 të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve pasi sipas tij kjo ishte një mundësi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së.

Ai u shfaq i zhgënjyer me lirimin e 12 të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve pasi sipas tij kjo ishte një mundësi e humbur për t’ia kthyer dinjitetin veteranit të UÇK-së.

Ish prokurori i cili e hetoi këtë rast deklaroi se publiku nuk ka parë e dëgjuar as 1% te provave materiale të cilat janë të paraqitura në aktakuzë duke aluduar se ka përgjime të cilat nuk janë bërë publike.

Përmes postimit të tij Blakaj i sfidoi anëtaret e komisionit që nëse besojnë se janë të pastër t’i publikojnë inçizimet e mbledhjeve të komisionit.

Dje Gjykata e Prishtinës i ka shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” me arsyetimin se  nuk është gjetur se të akuzuarit kanë vepruar në shpërputhje me detyrat e tyre.

Ky vendim erdhi gati dy vjet e gjysmë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale.

Përmes këtij vendimi Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u liruan nga akuzat të cilat i ngarkonin ata lidhur me fryrjen e listave të veteranëve luftëtarë për 19,500 persona.

Në këtë rast Prokuroria Speciale pretendon se 12 të akuzuarit në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë ata ua kanë mundësuar dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Në lidhje me këtë rast kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka Mekaj ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës ishte e shoqëruar me paqartësi.

Gjyqtarja Kukaj- Mekaj duke arsyetuar aktgjykimin lirues tha se Gjykata nuk kishte pasur për detyrë vlerësimin nëse 19,500 aplikacionet e përfituesve për veteranë luftëtarë ishin të kundërligjshme apo jo.

Mirëpo, pak më tej në arsyetimin e saj, gjyqtarja Kuka-Mekaj tregoi se disa prej 19,500 përfituesve për të cilët Prokuroria pretendon se janë të kundërligjshëm – në fakt nuk janë.

Sipas aktakuzës 12 anëtarët e Komisionit gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri më 31.1.2017 në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit e luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën nga autoriteti zyrtar me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe i kanë tejkaluar kompetencat zyrtare me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në vazhdimësi të këtij procesi të akuzuarit e këtij procesi në cilësinë e anëtarëve të Komisionit në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e përcaktuara nga vetë komisioni ua kanë mundësuar  dhe njohur personave të tjerë që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së, përkundër faktit se nga aplikacione të plotësuar dhe dorëzuara vërtetohet qartë se ata u takonin kategorive të tjera të veteranëve si: Pjesëtar të UÇK-së, që ishin caktuar të kryejnë detyra të tjera si në mbështetje politike, logjistike, financiare, shëndetësore dhe detyra të tjera të marra nga komandantët e njësive, shtabeve dhe zonave të UÇK-së, përkatësisht Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.