Gllogjan - Foto: Facebook/ Ramush Haradinaj

Presidenti Thaçi dekoron 12 dëshmorët e Gllogjanit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë dekoratat “Hero i Kosovës” për familjarët e 12 dëshmorëve të Gllogjanit në 21 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

“Duke vlerësuar rezistencën dhe heroizmin duke respektuar kushte kam vendosur të ndaj dekorimet ‘Hero i Kosovës’ për 12 luftëtarët e Gllogjanit”, ka thënë Thaçi gjatë fjalimit të tij.

Dekoratat u ndanë nga presidenti Thaçi, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe përfaqësuesin e familjes Jashari, Rifat Jashari.

Presidenti Thaçi theksoi se në këtë ditë që pas fillimit të fuqizimit të rezistencës së UÇK-së në krye me komandantin Adem Jasharin ndodhi ajo që pritej të ndodhte edhe në Gllogjan sepse bërthamat e para të UÇK-së ishin fuqizuar.

“Epopeja e Dukagjinit shënon një kthesë në luftën për liri e pavarësi. Por madhështia i shtohet kur kemi parasysh që më 24 mars 1999 filluan bombardimet e NATO-s dhe kjo aleancë nuk është lidhur rastësisht por falë rezistencën e luftëtarëve që luftuan për liri. Vlerësojmë lart mbështetjen ndërkombëtare”, ka shtuar Thaçi.

Në nderim të heronjve dhe dëshmorëve të lirisë, 21 vjetori i Epopesë së Dukagjinit filloi me një minutë heshtje.

Dekorata morën familjarët e dëshmorëve: Agim Selmanaj, Arban Ahmetaj, Artan Mehmetaj, Burim Mustafaj, Enver Halilaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj, Luan Nimanaj, Naim Nimanaj, Orhan Halilaj, Sokol Sejfijaj, dhe Shpend Malaj.