Politikanët Përshëndesin Miratimin e Propozimit për Lëvizje Pa Viza

Këtë e ka konfirmuar Ulrike Lunaçek, raportuese për Kosovën në PE në rrjetin social Twitter.

Lunaçek është shprehur e lumtur me këtë vendim, ndërsa pret nga politikanët kosovarë të veprojnë.

“Tash politikanët kosovarë duhet të veprojnë. Çelësi për të hapur derën e lëvizjes së lirë është në dorë të politikanëve kosovarë,” ka shënuar Lunaçek në Twitter.

Rreth këtij vendimi të Parlamentit Evropian ka shkruar edhe Presidenti Thaçi.

Sipas tij ky miratim është një dëshmi e përkrahjes dhe gatishmërisë së BE-së për t’i hequr vizat qytetarëve të Kosovës.

“Ky është moment i ri dhe historik për Kosovën. I falënderoj eurodeputetët për angazhimin aktiv dhe vlerësimin real të të arriturave tona. Tani është radha që pa vonesë të veprojmë dhe t’i marrim vendimet ne si Kosovë,” ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku  e ka cilësuar këtë votim si hap të rëndësishëm për largimin e regjimit të vizave për Kosovën.

Çollaku njëjtë si Thaçi e Lunaçek presin që kosovarët t’i kryejnë detyrat e veta.

“Në të njëjtën kohë besoj se nga ana jonë kjo do të kuptohet si një shenjë e mirëbesimit nga Parlamenti Evropian që të kryejmë obligimin e vetëm të mbetur,” ka vazhduar Çollaku në shkrimin e tij falënderues në Facebook.

Ai pret që gjatë këtij viti kosovarët të kenë mundësi të lëvizin lirshëm nëpër Zonën Schengen.