Policia ua Hoqi Tendën, Greva Vazhdon në Qiell të Hapur

Ish- punëtorët e Fabrikës së Tubave dhe Çelikut në Ferizaj po vazhdojnë grevën nën qiell të hapur pasi policia të premten ua hoqi atyre tendën në të cilën ishin vendosur për gati 600 ditë të grevës më jetëgjatë në Kosovë.

Tenda e vendosur afër ndërtesës së qeverisë qe larguar të premten në mbrëmje gjatë aksionit të policisë për t’i larguar tendat e protestuesve opozitarë.

Por disa ish- punëtorë të kësaj fabrike që kërkojnë nga qeveria zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për pagesën e borxhit për 912 ish punëtorët e saj kanë vendosur të mos zmbrapsen.

Ahmet Sylejmani ish- punëtor në këtë fabrikë, tha për KALLXO.com se të premten Policia ua hoqi tendën pa asnjë arsye.

“Ne kemi kërkuar nga Policia një dokument ku tregohet se ka urdhër për ta hequr tendën, ata na kanë marrë me dhunë na kanë dërguar në stacion policor. Na kanë arrestuar dhunshëm veç pse kemi kërkuar mos me prish tendën”, tha Sylejmani.

Sylejmani shtoi se kanë qëndruar dy ditë në stacion policor dhe pasi që i kanë liruar, ata sërish kanë dalë në shesh dhe po kërkojnë që t’ua kthejnë tendën që kanë pasur.

Njazi Asllani kryetar I këshillit grevist, tha se Policia kishte kërkuar nga ta që ta heqin tendën brenda 5 minutave por ata kanë refuzuar. Sipas tij, Policia u kishte thënë se është rrezik të qëndrojnë aty.

greva2

“Jo vetëm këtë protestë, kemi qenë edhe në të gjitha protestat në tendë por nuk ka ndodhur asgjë e keqe. Ka ardhë një polic e ka thënë për 5 minuta me hekë tendën, e unë thash pa pas urdhër me shkrim me pa edhe na nuk largohemi prej tendës”, tha Asllani.

Ish punëtorët e tubave në Ferizaj kanë dërguar një kërkesë për të kërkuar sqarim nga Policia se pse ju është hequr tenda.  Por ende nuk kanë marrë përgjigje.

Po ashtu ata shtuan se do të bëjnë padi kundër Policisë ku sipas tyre ata kanë shkelur rregulloren dhe se atyre u takon ta kenë tendën në shesh si shenjë proteste nga mos kryerja e obligimeve të Qeverisë.

“Na ktu kemi me nejtë deri sa të na kthejnë tendën, natën do ta kemi problem të qëndrojmë por ditën do të qëndrojmë çdo dite në shenjë të vazhdimit të grevës”,  tha Asllani.

Policia e Kosovës ka deklaruar se tendat janë larguar nga sheshi kryesor në Prishtinë për shkaqe të sigurisë, dhe të njëjtin fat e ka pasur edhe tenda e ish- punëtorëve nga Ferizaj.

“Tenda është larguar për shkaqe të sigurisë së tyre”, tha Kelani.

Gjatë kontrollit dhe largimit të tendave të premten në mbrëmje, Policia ka raportuar se ka gjetur shishe të koktej-molotovit dhe mjete tjera nëpër tendat e instaluara nga subjektet opozitare.

[interaction id=”56d465514ab46a0103495d01″]