Foto: SKV

Policia: Nuk Përdorëm Dhunë ndaj Studentëve të Arrestuar

Në një sqarim pas arrestimit të shtatë studentëve në Mitrovicë, policia ka thënë se nuk është përdorur dhunë ndaj tyre.

“Ju informojmë se pohimet kinse Policia ka përdorur dhunë ndaj të arrestuarve nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta. Të gjitha veprimet e ndërmarra policore kane qenë sipas procedurave, në proporcion me situatën e paraqitur dhe konform autorizimeve ligjore”, thuhet në sqarimin e policisë.

Sot në Mitrovicë Organizata Studentore për Barazi “Studim, Veprim, Kritikë”, protestoi kundër emërimit të Lumnije Thaçit prorektore në Universitetin “Isa Boletini”.

Policia ndërhyri kur protestuesit në objektin e universitetit po shkruanin parullat “Lume-t na për PISA” dhe “Familja-Prona-Shteti-Lumnije Thaçi”.

Në sqarimin e saj policia tregoi se përdori sprejin lotsjellës ndaj një protestuesi.

“Njëri nga të dyshuarit ka shfaqur sjellje agresive dhe policia konform parimeve dhe procedurave për ta vënë nën kontroll situatën ka perdorë sprejin lotsjellës të cilit person menjëherë edhe i është ofruar trajtimi mjekësor”, vijoi sqarimi i policisë.

Policia tregoi edhe për arrestimet.

“Njësitet policore i janë përgjigjur rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast jane sekuestruar dy boca sprej/ngjyrë, janë arrestuar shtatë persona”, shpjegoi policia.

KALLXO.com shkroi për protestën e studentëve sot në Mitrovicë dhe publikoi xhirime nga arrestimi i protestuesve.

http://kallxo.com/ja-si-u-arrestuan-studentet-ne-protesten-e-skv-se/

KALLXO.com shkroi edhe për emërimin e Lumnije Thaçit, gruas së Presidentit Hashim Thaçi, prodekane në Universitetin “Isa Boletini”.

http://kallxo.com/lumnije-thaci-emerohet-prodekane-ne-universitetin-e-mitrovices/