Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Policia me masa të shtuara në trafikun rrugor në Mitrovicë

Policia në Rajonin e Mitrovicës ka filluar të zbatoj planin operativ me masa të shtuara të ofrimit të sigurisë rrugore, ku fokus të veçantë kanë zonat urbane e Mitrovicës.

Sipas njoftimit ky plan ka për qëllim ngritjen e vazhdueshme të sigurisë në trafikun rrugor, uljen e aksidenteve, eliminimin e parkimeve të parregullta si dhe eliminimin e kolonave në qytet.

“Ndër prioritetet e veprimit policor në ditët në vijim do të jenë rrugët “Mbretëresha Teutë” dhe “Shemsi Ahmeti”, marrë parasysh fluksin e automjeteve në këto dy rrugë të cilat ndërlidhen me rrugët nacionale dhe regjionale, ku si rrjedhojë kërkohet angazhim për të mundësuar një sistem funksional të qarkullimit të trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, policia ka njoftuar se masat e shtuara policore në kuadër të planit të veprimit edhe pse nuk ka qëllim primar ndëshkimin, për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që bien ndesh me ligjet e trafikut, policia do të vazhdojë të shqiptoj masa ligjore të cilat do të shërbejnë si masa parandaluese.