Policia Heton Vjedhjen e Lopëve

Jeton Bytyqi tregon për KALLXO.com se si ka vërejtur mungesën e dy lopëve të tij të vjedhura nga hajnat ende të paidentifikuar.

“Në tetë e gjysmë ka ardhur ai vëllau për me çelë derën për t’i lëshuar si zakonisht lopët, kur e ka parë derën çelë, këtu e kishin thyer derën dhe si e kanë thyer, e kanë shti prapë në vend të vet. E ka çelë,  e ka parë që nuk janë lopët këtu dhe menjëherë ka ardhur me na tregu,” tha Bytyqi.

Bytyqi ankohet se policia erdhi me vonesë pasi u lajmërua për vjedhjen e lopëve.

“Kemi qenë duke ngrënë mëngjes. Në atë moment jemi ngrit prej bukës, kemi nga në çorape qysh kemi mundur kur kemi parë se këtu nuk janë lopët, jemi shpërndarë disa andej disa këndej se mos janë zgjidhur, por jo. Menjëherë i kemi thirrur policinë dhe policia është vonuar diku një orë, ose një orë e gjysmë deri sa ka ardhur,” tha Bytyqi..

Vjedhje të bagëtive kishte pësuar edhe një tjetër banor i këtij fshati që nuk gjendej në shtëpi, por që përmes telefonit e konfirmoi se edhe atij i janë vjedhur 3 lopë.

Rreshteri nga Stacioni Policor në Lipjan Burim Nishori, e konfirmoi se në këtë fshat kanë ndodhur dy raste të vjedhjes së bagëtive.

“Në fshatin Dobrajë e Madhe siç është cilësuar lokacioni kanë ndodhur dy raste të vjedhjeve të bagëtive, në dy lokacione të ndryshme aty janë vjedhur gjithsej pesë bagëti,” thotë Nishori.

Nishori nuk dha shumë detaje për vjedhjet për mosrrezikim të hetimeve.

“Për momentin nuk mundemi me thanë më tepër rreth kësaj. Hetimet ne i kemi filluar menjëherë ditën kur janë raportuar, ekipet e hetuesisë dhe forenzikës kanë qenë në vendin e ngjarjes, kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, jemi duke e hetuar rastin,” tha Nishori.

Megjithatë, ai tregoi se policia dyshon që vjedhja është bërë me anë të një kamionete.

“Provat që janë gjetur në dalje të fshatit Dobrajë e Vogël në drejtim të tokave bujqësore ku nuk është e banuar, dyshohet se me një kamionetë [është bërë vjedhja] mirëpo këto janë informacionet që ne mundemi me i dhënë,” tha Nishori.