Armët e konfiskuara gjatë aksionit | Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës dhe DEA Amerikane Konfiskojnë Armë

Në një komunikatë Policia e Kosovës njoftoi se në bashkëpunim me Agjencinë Antidrogë të Amerikës (DEA) gjatë tri aksioneve në Kosovë dhe New York ka arrestuar 10 persona dhe ka konfiskuar arsenal armësh.

Sipas komunikatës, janë konfiskuar 15 kallashnikovë, 120 fishekë, një zollë, një pistoletë, një pushkë ajrore, 63 mijë euro, dy vetura dhe katër telefona celularë.

Sipas njoftimit të policisë, në operacionet e realizuara më 18 dhe 27 qershor janë arrestuar katër persona në Klinë dhe gjashtë persona në New York.

“Hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarët amerikanë në mënyrë paralele në të dyja vendet. Dy operacione janë realizuar në Republikën e Kosovës (rajoni i Pejës) dhe një në New York”, thuhet në komunikatë.

Komunikata tregon edhe njësitë e policisë të përfshira në aksione.

“Në mbështetje të realizimit të operacioneve kanë qenë pjesëmarrës: Drejtoria e Njësive Speciale, Drejtoria për Mbështetje të Hetimeve, Drejtoria e Forenzikës dhe njësi të tjera policore të PK-së në koordinim me Prokurorinë Speciale dhe gjykatën kompetente”, njofton komunikata.

Personat e arrestuar në Kosovë sipas njoftimit të policisë janë 29 vjeçi me inicialet A. K, 30 vjeçi me iniciale M. D, 22 vjeçi me inicialet D. P dhe 28 vjeçi me inicialet D. M.

Këtyre të arrestuarve u është caktuar ndalimi policor.