FOTO ILUSTRIM

Polici i dyshuar për dhunimin e 16 vjeçares sot del para Gjykatës

Polici i dyshuar për dhunim dhe ngacmim seksual të nxënëses nga Drenasi, V.V. do të dal sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës ku do të ballafaqohet me Prokurorin që po kërkon masën e paraburgimit ndaj tij.

Kështu, rreth dy orë pas kohës së paralajmëruar për një protestë në lidhje me këtë rast që do të mbahet para objektit të  Policisë së Kosovës, rreshteri do të dëgjoj pretendimin e prokurorisë ndaj tij.

Lajmin për kohën e mbajtjes së seancës për KALLXO.com e konfirmoi, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Në lidhje me këtë rast, dje (06.02.2019 e mërkurë) Inspektorati Policor i Kosovës  njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, dje kanë bastisur në disa lokacione duke përfshirë shtëpinë e rreshterit, zyrën e tij në Stacionin Policor në Drenas dhe një ordinancë private mjekësorë.

IPK njofton se gjatë bastisjes janë sekuestruar disa gjëra, që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

Pas intervistimit të të dyshuarit me inicialet V.V.,  i njëjti është arrestuar nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të “dhunimit” dhe “keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin. Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë edhe lidhur me dyshimet për përfshirjen e të dyshuarve të tjerë në këtë rast.