Çitaku reagon ndaj deklaratës së ministres Haxhiu drejtuar prokurorit “Dorëzohu, s’është vonë!”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, pasi kjo e fundit në seancën e mbajtur sot në Gjykatë, në cilësinë e të pandehurës i ka thënë prokurorit të rastit: “Dorëzohu, s’është vonë!”, dhe ta tërheqë aktakuzën për posedimin e gazit lotsjellës.

Çitaku thotë se Lëvizja Vetëvendosje i do të dorëzuar të gjithë, duke filluar nga mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat e deri te opozita.

Ajo shton se një mendësi e tillë nuk kalon në Kosovë.

“’Dorëzohu, s’është vonë’ i paska thënë prokurorit e pandehura Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë.  Sepse, ashtu, të dorëzuar i duan të gjithë. Të dorëzuar i duan mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat, shoqërinë civile, opozitën. Kjo mendësi nuk kalon në Kosovë”- shkruan Çitaku.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar një ekspertizë balistike e cila do të përpilohet jashtë vendit në rastin ku të akuzuar janë Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj- Bujupi dhe Besa Baftiu.

Këtë vendim e mori Gjykata pasi që ekspertiza e cila ishte urdhëruar me parë drejtuar Agjencisë Kosovare të Forenzikës nuk ishte bërë. Pasi që thuhet se në laboratorin e tyre nuk mund të bëhet një ekspertizë e tillë për mjetet e gjetura te të akuzuarit.

Lidhur me përgjigjen e AKF-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha që nuk mund të gjykohen personat nga interpretime të prokurorit dhe duhet të ketë prova, fakte dhe ekspertizë.

“Sa i përket letrës nga AFK, konsideroj që ekspertiza në këtë proces gjyqësor është shumë e rëndësishme pra është thelbi i çështjes dhe konsideroj që nuk mund të kuptohet, gjykohen dënohen personat pa ekspertize të tillë. Pra nuk mund te gjykohen personat nga interpretimi i prokurorit duhet të ketë prova, fakte dhe ekspertizë. Prandaj ndonëse pas shatë vitesh i kërkoj prokurorit të dorëzohet që të tërhiqet nga aktakuza nuk është vonë asnjëherë të bëjë një veprim”- tha ministrja Haxhiu.

Në seancën gjyqësore ishin edhe ish-deputetja e Kuvendit, Donika Kadaj- Bujupi, Besa Baftiu dhe deputeti Pal Lekaj.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohej dëshmitari Destan Rukolli, por ai mungoi.

Gjykata tha që do të kërkojë nga eprorët e Rukollit sqarim më të detajuar për mungesën e tij pasi që i njëjti kishte njoftuar Gjykatën që është i angazhuar në një plan operativ.

Seanca është shtyrë për një kohë të pacaktuar deri në marrjen e ekspertizës e cila do të bëhet në ndonjë vend jashtë Kosovës.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se të akuzuarit Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj, në shkurt të vitit 2016 kanë futur bombola të gazit në Kuvendin e Kosovës duke e kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë -Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Caktohet ekspertizë jashtë vendit në rastin ku ministria e Drejtësisë po akuzohet për posedimin e gazit lotsjellës