Gjykata Themelore në Prizren

Paraburgim të Dyshuarit për Katër Vepra Penale

“Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e paraburgimit  prej një (1) muaj të pandehurit nga Shtimja me  inicialet G.K. i cili është përsëritës i shumë veprave penale”, tha zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj.

Kicaj po ashtu njoftoi se masa e paraburgimit do të zgjasë deri më 8 janar 2017.

Sipas njoftimit të Gjykatës në Prizren, i pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal të Kosovës, sepse më 08 dhjetor 2016, rreth orës 13:55 minuta afër Stacionit të Autobusëve në Prizren në rrugën “De Rada” me qëllim të privimit nga jeta personin tjetër ka përdorur armën e zjarrit duke shtënë disa herë në drejtim të dëmtuarit me iniciale S.K. të cilin nuk ka mundur ta godasë.

Me këtë veprim i pandehuri me inicialet G.K. dyshohet se ka kryer veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe kanosje.