Fitore Pacolli | Foto: Facebook

Pacolli: Moni e Arbeni do të na Prijnë në Çdo Sfidë

Gjatë homazheve te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, të vrarit në demonstratat e 10 shkurtit të vitit 2007 kundër pakos së Ahtisaarit, deputetja e Vetëvendosjes Fitore Pacolli, tha se Arbeni, por edhe Mon Balaj, i vrari tjetër i këtyre demonstratave do të prijnë në çdo sfidë.

“Moni e Arbeni do të mbeten gjithmonë udhërrëfyes për të gjithë ne. Ata do të na prijnë në çdo sfidë e betejë me të cilën do të ballafaqohemi në të ardhmen”, tha Pacolli.

Ajo deklaroi më tutje se Arben Xheladini e Mon Balaj nuk do të harrohen.

“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë Monin e Arbenin dhe do të vazhdojmë pa u ndalur drejt vullnetit të tyre që të mos lejojmë as të copëtohet e as të falet territori ynë përmes ‘zajednicës’ e demarkacionit”, tha Pacolli.

Më 10 shkurt 2007 në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë kundër propozimit gjithëpërfshirës për marrëveshjen për statusin e Kosovës të bërë nga diplomati finlandez Martti Ahtisaari qenë vrarë Mon Balaj e Arben Xheladini.

Ekspertët në atë kohë kishin thënë se kur qëllohet me plumba gome, armët duhet mbajtur me tytë në drejtim të tokës, ndërsa me këta plumba nuk duhej qëlluar në pjesën e sipërme të trupit të protestuesve.

Por shumë nga të lënduarit u qëlluan me plumba gome në pjesën e sipërme të trupit dhe në kokë.