Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, seanca 26.03.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: KALLXO.com

Sveçla dhe të tjerët nuk e pranojnë fajësinë për hedhjen e gazit lotsjellës

Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës janë ulur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetët Fitore Pacolli, Drita Millaku dhe Salih Zyba, të akuzuar për hedhjen e gazit lotësjelljës në Kuvendin e Kosovës në 21.03.2018.

Pasi kishte dështuar katër herë me radhë, të martën me 26.03.2024 ka nisur gjykimi.

Me fillim të seancës, gjyqtari bëri të ditur se vepra penale e “pengimit të personit zyrtar” është vjetërsuar, dhe gjykimi vazhdon vetëm për “përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Për veprën penale të “përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm” të gjithë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.

Rasti po gjykohet nga gjyqtari Sabit Sadikaj, ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga Prokurori i shtetit Ali Ajdini.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 26.07.2019.

Sipas Prokurorisë, hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit, dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.

Me këto veprime, ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në polici.

Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.