Mbledhja komemorative për Edi Shukriun. Foto: KALLXO.com.

Mbahet mbledhje komemorative për Edi Shukriun 

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje komemorative për të kujtuar anëtaren e saj, Edi Shukriun.

Gjatë kësaj mbledhje u veçua kontributi i akademikes Shukriu, e cila vdiq një ditë më parë. Ajo ishte gruaja e parë anëtare e ASHAK-ut.

Akademik Mehmet Kraja, kryetari ASHAK-ut tha se vdekja e akademikes Shkuriu e varfëroi shkencën dhe kulturën shqiptare.

“Nga sot do të jemi më të varfër për një arkeologe të shkëlqyer e historiane të antikitetit. Ajo ishte një personalitet i veçantë e cila kishte ndjesinë e observimit intelektual” – tha Kraja.

Ndërsa, akademikja Xhyljeta Mushkolaj, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut, tha se Edi Shukriu ishte një shkencëtare, poete e veprimtare e palodhur politike.

Ajo tha se Shukriu mban merita për themelimin e një sërë institucionesh shkencore e universitare në vend.

“Ajo ishe një luftëtare e pa kompromis për të drejta e shqiptarë e shtet ndërtim dhe një zë i rëndësishëm për barazi gjinore” – tha Mushkolaj.

Në emër të familjes Shukriu, një fjalë rasti mbajti Vatilda Shukriu, e cila tha se Edi Shukriu bëri shumë për emancipim dhe barazi të shoqërisë sonë.

Pas mbledhjes komemorative, po në ASHAK janë bërë homazhet për të nderuar të ndjerën.

Edi Shkurti vdiq dje duke lënë pas një kontribut të madh në fushën e arkeologjisë dhe letërsisë.

Varrimi së ndjerës bëhet sot orën 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.