Të akuzuarit Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Fitore Pacolli, Seanca 06.02.2024, Gjykata e Prishtinës, Foto: Jetlira Buzhala/KALLXO.com

Ministri Sveçla para gjykatës: 'Nuk kam nevojë për avokat'

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe deputetët nga radhët e LVV-së, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli, sot u paraqitën para gjykatës për t’u përballur me akuzat për gazin lotsjellës që akuzohen se e hodhën në Kuvendin e Kosovës më 21 mars të vitit 2018.

Asnjëri nga të akuzuarit e pranishëm nuk “konsideroi” se ka nevojë për avokat mbrojtës në këtë rast.

“Nuk kam nevojë për avokat” – u shpreh ministri Sveçla para gjykatës.

Kështu u shrehën edhe dy të akuzuarit tjerë, deputetja Fitore Pacolli dhe deputeti Salih Zyba.

Gjyqtari Sabit Sadikaj i njoftoi se do të angazhohen avokatë “ex officio” nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur në korrik të vitit 2019, dhe gjykimi ndaj tyre dështoi disa radhazi për shkak të mungesës kësaj radhe të deputetes Drita Millaku.

Gjyqtari Sadikaj tha se Millaku ka ofruar një shkresë e cila tregon se e njëjta mungon për arsye shëndetësore.

Edhe seanca e 16 janarit të këtij viti kishte dështuar të mbahet pasi kishte munguar Drita Millaku dhe Fitore Pacolli, të dyja për arsye shëndetësore.

Sipas Prokurorisë hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit, dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.
Me këto veprime, ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit.

Në mesin e provave të cilat prokuroria i mbështet akuzat e saj janë incizime nga salla e Kuvendit, raporte policore, foto-dokumentacion, vendimi i Kryesisë së Kuvendit për ndërprerjen e seancës atë ditë, dhe shkresa tjera të lëndës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në polici.

Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes kritike.

Prokuror i rastit është Eset Rama.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK