Fitore Pacolli: Kurti po fliste për shtrirje të sovranitetit në veri kur ndodhi përleshja

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se kryeministri Albin Kurti në foltoren e Kuvendit kur ndodhi incidenti ishte duke folur për “shtrirjen e sovranitetit dhe kontrollit në veri”.

Pacolli thotë se kjo çka po fliste kryeministri “i pengon opozitës” dhe prandaj sipas saj, sulmuan.

“Kryeministri po tregonte për shtrirjen e sovranitetit dhe kontrollit në veri, për stacionet e reja të policisë, për arrestimin e kriminelëve serb dhe luftimin e krimit të organizuar POR kjo siç u pa po i pengon opozitës prandaj sulmuan. Krimi e korrupsioni në veri më nuk kalon”- ka shkruar deputetja në Facebook.

Gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike.

PDK thotë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin e PDK-së Mërgim Lushtaku.