Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Serbia është në panik

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Serbia është në panik duke kërkuar themelimin e asociacionit një etnik.

“Prandaj, Serbia është në panik, duan që t’i bëjnë bashkë sa më parë 10 kryetarë të komunave të së njëjtës parti që e dirigjojnë ata, ta shpallin një president zajednice dhe me atë ta shkelin ministrin tonë të qeverisë tonë, ministrin nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme, e dëmshme dhe e papranueshme”- shtoi ai.

Në 16-vjetorin e vrasjes së dy aktivistëve të LVV-së Mon Balaj e Arben Xheladinit, Kurti ka thënë se, “kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme gjithandej nëse ia kanë vlejtur komunat mbi bazat etnike, prandaj Beogradi me kaq nervozë kërkon themelimin e tyre”.

“Jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por jam i bindur që mu këtë e do Serbia. Kosova ka nevojë për më shumë demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë është pluralizmi politik. Tek komuniteti serb në Kosovë njëmend nuk ka pluralizëm politik, mirëpo ai megjithatë po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste” – shtoi kryeministri.

Kurti ka kujtuar detaje nga protesta e 10 shkurtit 2007.

“Dhjetëra mijëra qytetarë demonstruam para 16 viteve, e në ballë të tyre ishte baca Adem në moshën 71-vjeçare. 232 plumba gjithsej u shkrepën në trupat dhe kokat e qytetarëve nga policia e UNMIK-ut në një situatë ku asgjë nuk shihej prej gazit lotsjellës” – tha Kurti.

Sipas Kurtit dhuna e përdorur atë ditë nga UNMIK ka qenë e panevojshme dhe e evitueshme.

“Arben Xheladini dhe Mon Balaj u vranë, kurse 80 demonstrues u plagosën rëndë e lehtë. Ish-shefi i shtyllës së parë të UNMIK-ut, Robert Dean kishte bërë një hetim atë pranverë, nga i cili doli me konkluzioni që për menaxhimin e asaj situate, vrasjet e Monit dhe të Arbenit kanë qenë edhe të panevojshme edhe të evitueshme” – tha ai.

Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba gome nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisarit.