Xhelal Sveçla para gjykatës, dështon seanca ndaj tij

Për të tretën herë radhazi është duke u shtyrë gjykimi ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe deputetëve Salih Zyba, Fitore Pacolli e Drita Millaku, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 21.03.2018.

“Nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar pasi mungon e pandehura Fitore Pacolli- Dalipi”- tha gjyqtari i rastit Sabit Sadikaj në seancën e sotme, 28.02.2024

Edhe seancat e kaluara, më  16.01.2024 dhe 06.02.2024 kishin dështuar të mbaheshin për shkak të mos-prezencës së deputetes Fitore Pacolli dhe Drita Millaku.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 26.07.2019.

Sipas Prokurorisë hedhja e gazit lotsjellës kishte pamundësuar vazhdimin e seancës së Kuvendit, dhe të gjithë deputetët ishin detyruar ta lirojnë sallën.

Me këto veprime, ata akuzohen edhe për pengim të personit zyrtar, në këtë rast të deputetëve të Kuvendit.

Në mesin e provave të cilat prokuroria i mbështet akuzat e saj janë incizime nga salla e Kuvendit, raporte policore, foto-dokumentacion, vendimi i Kryesisë së Kuvendit për ndërprerjen e seancës atë ditë, dhe shkresa tjera të lëndës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të gjithë të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje në polici.

Hetimet ndaj tyre kishin filluar një ditë pas ngjarjes kritike.

Aktakuza është ngritur nga prokurori Eset Rama, kurse gjyqtari i rastit është Sabit Sadikaj.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.