Opozita e Kosovës i Gëzon Evropianët

Anëtarët nga opozita të Komisionit të posaçëm parlamentar për Marrëveshjen për Stabilizim- Asocim kanë qenë të pranishëm sot në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe kjo gjë i ka gëzuar parlamentarët evropianë që kanë ardhë për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të këtij komisioni.

Madje, Visar Ymeri, lider i partisë më të madhe opozitare në vend, Vetëvendosjes, ka zënë ulësen e tij në vendin ku zakonisht ulen deputetët e PDK-së.

Tonin Picula, i cili u bë bashkëdrejtues i komisionit të përbashkët Kosovë- Parlamenti Evropian nuk e fshehu kënaqësinë për atë që po shihte.

“Kuvendi i Kosovës është më i zëshëm se institucionet tjera të Kosovës, dhe kjo është gjë e mirë. Jam i lumtur që pjestarët e opozitës janë prezentë në takimin e parë. Shpresoj që do të jenë edhe në takimet tjera”, tha Picula.

Ai tha se për Kosovën, MSA dhe rekomandimi për liberalizimin e vizave kanë ardhur në kohën e duhur, ndërsa bëri thirrje që institucionet e Kosovës të vazhdojnë t’i përmbushin detyrat e caktuara nga Brukseli.

“Ne evropianët jemi bashkëpërgjegjës për arritjet dhe dështimet tuaja. Çfarë ndodh në Prishtinë do te ketë ndikim në Bruksel. Ne bashkë duhet ta ndërtojmë këtë vend bashkë. Njëjtë sikur ky komision i përbashkët”, tha Picula.

Bashkë me Piculën, komisionin do ta drejtojë edhe Xhavit Haliti nga Kuvendi i Kosovës. Zëvendës kryesues janë emëruar Sabri Hamiti e Ulrike Lunacek, ndërsa në vendin e ministrave kanë qëndruar ulur ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku e sheshi i Zyrës së bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

“Mendoj që elita politike të kuptoj rëndësinë e takimit të parë për Stabilizim- Asocim. Dua të vë në dukje që ky takim nuk është bashkëpunimi i parë i Parlamentit Evropian dhe atij të Kosovës, por nënshkrimi i MSA ka krijuar mundësinë ligjore në krijimin e trupave të përbashkëta mes dy parlamenteve”, tha Haliti.

Kërkesës së Tonin Picluas për veprim nga ana e institucioneve të Kosovës iu përgjigj kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Nuk do të ketë vetëm fjalë por edhe hapa konkretë në luftimin e korrupsionit”, tha Veseli.

Të njëjtën e premtoi edhe kryeministri isa Mustafa.

“Ne do të punojmë fuqishëm që këto do t’i arrijmë. MSA nënkupton angazhimin e të gjithëve, na nevojitet sinergji e përbashkët”, tha Mustafa.