ILUSTRIM- Xhami në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Krerët opozitar urojnë festën e Fitër Bajramit

Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë uruar qytetarët për festën e Fitër Bajramit.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili edhe vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës u shpreh se kjo festë na rikujton rëndësinë e dhembshurisë, bujarisë e përkujdesjes.

“Të gjithë bashkëqytetarëve të besimit islam, me fat Bajrami i Fitrit – kjo festë e forcës së besimit, qëndrueshmërisë dhe sakrificës. Si gjithherë, kjo ditë na e rikujton rëndësinë e bujarisë, dhembshurisë dhe përkujdesjes ndaj atyre me më pak fat.  Në një botë që përballet me sfida dhe pasiguri, Bajrami shërben gjithmonë si një fanar shprese, uniteti dhe solidariteti. Andaj, këtë ditë, le të përqafojmë frymën e faljes, pajtimit dhe tolerances”- u shpreh Krasniqi.

Festën e uroi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku teksa theksoi që vlerat e mësuara gjatë muajit të Ramazanit të jenë përditshmëria jonë.

“Le të shpresojmë që lutjet, veprat e mira e sakrifica gjatë muajit të Ramazanit të jenë pranuar nga Krijuesi; e le të punojmë që vlerat e mësuara gjatë muajit të shenjtë e vet festës së Bajramit, të jenë vlera të përditshmërisë sonë. Që sakrifica, solidariteti e kujdesi ndaj njëri-tjetrit, të na shoqërojnë në secilën sjellje tonën. Që lidhjet me familjen, miqtë e gjithë atdheun, të na drejtojnë si synim i ecjes sonë të përditshme”- është shprehur Abdixhku.

Derisa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili poashtu vizitoi selinë e Bashkësisë Islame, uroj qytetarët që këto ndjenja gëzimi ti përcjellin gjithnjë.

“Në emër të AAK-së urojmë Fitër Bajramin, ta gëzojmë të gjithë bashkë në Kosovë, gjatë këtij muaji u dëshmua përkushtim, sakrificë, solidaritet dhe humanizëm”- u shpreh Haradinaj.

Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit për Republikën e Kosovës më 10.04.2024 është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Myftiu Naim Tërnava foli per familjen e shëndoshë duke u lutur që mes veti të ketë harmoni, shëndet dhe paqe.

Falet namazi i Fitër Bajramit