Vihet gurthemeli i Klinikave të Hemato-onkologjisë dhe Nefrologjisë

Gurthemeli për ndërtimin e objektit për Klinikën e Hemato-onkologjisë dhe Klinikën e Nefrologjisë u vendos sot (02.05.2024) nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Ky objekt mbi 3 mijë e 700 metra katrorë do të kushtojë rreth 4.3 milionë euro dhe sipas ministrit do të plotësojë standardet moderne e do të mundësojë ofrimin e shërbimeve të reja.

“Do të plotësojë shumë standarde moderne, të cilat tani për shkaqe të infrastrukturës së vjetër dhe të dëmtuar, klinikat përkundër angazhimit dhe përkushtimit maksimal nuk kanë mundur të jepen një pjesë e shërbimeve” – tha ai.

Vitia tha se faza e implementimit të këtij projekti është 3 vjet.

1 mijë e 100 metra të kësaj hapësire, sipas Vitisë do të jenë për pjesën diagnostike të klinikave.

Mbi 3 mijë e 700 metra katrorë, ku rreth 1 mijë e 100 metra katrorë do të jenë për pjesën diagnostike.

“1 mijë e 100 metra katrorë, dyfishim të kapaciteteve për Nefrologji dhe diku rreth 1 mijë e 600 metra katrorë për hemato-onkologjinë” – shtoi ai.

Objekti i ri, siç tha minsitri përveç se do të ofrojë shërbime të jashtëzakonshme do të krijojë edhe kushte shumë më të mira pune për profesionistët shëndetësorë.

Hemato-onkologjia merret me kanceret e gjakut dhe të indeve gjakformuese, përfshirë leukeminë. Ndërsa, Nefrologjia është degë e mjekësisë e cila diagnostikon dhe trajton sëmundjet e lidhura me veshkat.

I pyetur nga KALLXO.com për vazhdimin e ndërtimit të objektit për Klinikën Emergjente, i cili mbeti në gjysmë, Vitia tha se Organi Shqyrtues i Prokurimit ka dhënë dritën e gjelbër dhe se sivjet do të vazhdojë puna për këtë objekt.

“Më në fund është zgjidhur nyja që ka zgjatur nga viti 2015-2016 në mos gaboj. Tani ka ardhë nga OSHP vlerësimi se krejt mund të vazhdojmë dhe po pritet nënshkrimi i kontratës për të filluar punën” – tha Vitia.

Pas ndërtimit të Emergjencës së re, udhëheqësi i shëndetësisë tha se Kosova do të ketë një nga qendrat emergjente më moderne në rajon.

Për këtë projekt ishin nisur hetime edhe nga Prokuroria.

Projekti për ndërtimin e Klinikës së Nefrologjisë dhe Klinikës së Hemato-Onkologjisë, 02.05.2024
Projekti për ndërtimin e Klinikës së Nefrologjisë dhe Klinikës së Hemato-Onkologjisë, 02.05.2024