Nga një mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike | Foto: KALLXO.com

Nuk Shqyrtohet Raporti i Auditorit për MPB-në

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike nuk e shqyrtoi Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015 për Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB).

Shkak për mosshqyrtimin e këtij raporti ishte mungesa e ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni, i cili kishte një agjendë tjetër.

Drejtuesi i mbledhjes së Komisionit, Faton Topalli, tha se mbledhjet nuk mbahen kur  mungojnë ministrat.

“Ne si Komision kemi pasë traditë që mbledhjet e Komisionit të mbahen vetëm atëherëë kur janë të pranishëm ministrat”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësministri Valdet Hoxha para anëtarëve të Komisionit e arsyetoi mungesën e shefit të tij .

“Në ftesën me shkrim që e ka marrë Ministri i Punëve të Brendshme për të qenë i pranishëm para Komisionit e kemi konfirmuar po ashtu me shkrim se në orarin e njëjtë ministri është një prej folësve kryesor në pikën e kalimit me Serbinë në Merdar, ku do të vihet gurthemeli i pikës së përbashkët kufitare me Serbinë”, tha Hoxha.

Anëtarët e Komisionit u shprehën se është parim i këtij Komisioni se nuk mbahen takimet nëse nuk janë prezentë ministrat.