Problemi me kontrata një burimore në RTK diskutohet në Komisionin Parlamentar

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare vjetore të RTK-së.

Të ftuar ishin Bordi i RTK-së dhe drejtori i përgjithshëm.

Kryetarja e komisionint, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjetjet kryesore në raportin e auditimit, janë nënvlerësim i të hyrave nga grantet qeveritare, mbivlerësim të detyrimeve afatgjate, etj.

“Sipas gjetjeve kryesore të Auditorit, ka pasqyrim jo të saktë të disa aseteve, janë disa aktivitete të cilat kanë përfunduar jashtë planit të prokurimit, ka ngritje në pozitë të cilat nuk janë në harmoni me ligjin”- ka cituar gjetjet kryesore Bajrami.

Deputeti Hajdar Beqa në këtë mbledhje i ka listuar të gjitha gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm.

“Çështjet që kanë ndikuar në konkluzion të kualifikuar janë si në vijim: RTK kishte nënshkruar një marrëveshje për transmetim të Lojërave Olimpike Pekin 2022, duke i anashkaluar procedurat e prokurimit, kostoja e transmetimit ishte 92 mijë e 354 euro, bazuar në rregulloren për vepra audio vizuale, RTK-ja këtë duhej ta bënte përmes procedurave të prokurimit”- citoi Beqa gjetjet Auditorit.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka thënë se gjetjet e Auditorit janë shqyrtuar nga të gjithë anëtarët e tij.

“Secili nga anëtarët ka njohuri të duhura, shto edhe menaxhmentin i cili në aspektin ekzekutiv ka detaje më shumë”- tha Boletini.

Drejtori i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka folur rreth kontratave një burimore me ç’rast ka arsyetuar këtë procedurë.

“Transmetuesi publik i ka disa specifika, lidhur me këto çështje ne bashkë me drejtorin kemi mbajtur edhe një takim me KRPP-në dhe i kemi diskutuar në detaje të gjitha këto çështje për të cilat ligji aktual nuk na ofron zgjidhje për të gjitha, psh nëse ne dojna me marr një këngëtare të famshme për vitin e ri qysh me shti në tender?”.

“Rekomandimi i KRPP-së ka qenë që këto çështje të rregullohen me legjislacion sekondar dhe këtë do ta bëjmë dhe të shohim të gjitha detajet sepse ne kemi pasur edhe kontraktim për Ligën e Kampionëve me UEFA që ta jep veç një kompani edhe ai nuk hyn me tenderu sepse kena provu”- tha Boletini.

Sipas Boletinit, këto çështje do të rregullohen me legjislacion sekondar.

“Besoj që në auditimin e radhës këto gjetje nuk do të figurojnë sepse do ta zgjidhim këtë çështje”- tha më tej Boletini.

“Çështjet problematike janë ato të kontratave një burimore dhe avancimet pa i respektu rregullat e avancimit. Është bërë epidemi tani viteve të fundit kontrata një burimore. E dimë që ajo shkatërron konkurrencën e tregut, mandej të gjitha palët e konsiderojnë që u është bërë një e padrejtë gjatë procesit. Cili është plani për adresimin e këtyre çështjeve”- ka thënë kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami.

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka folur rreth gjetjeve të Auditorit sidomos rreth kontratave një burimore, ‘problematikë’ kjo që u ngrit nga kryetarja Bajrami.

“RTK do të vazhdoj të ketë kontrata një burimore kur është fjala për shërbime të programit sepse nuk kemi qysh të veprojmë ndryshe. Ne zbatojmë rregulloren tonë të brendshme edhe direktivën e Komisionit Europian që kur vjen te çështjet programore nuk mund të kemi tender. Kur flasim për këtë çështje RTK ka të bëjë më kontrata një burimore vetëm për shërbime të tilla. Asnjë proces tjetër nuk është një burimor, blerja e karrigeve, kompjuterëve shkon me procedura. Është mirë që të kuptohet kjo”- ka thënë Ahmetxhekaj.

Ahmexhekaj ka folur edhe për kontratën e Lojërave Olimpike për të cilën ka thënë se nëse do të prisnin çështjet tenderuese apo edhe përmes procedurës njëburimore, RTK, humbte të drejtat.

“Kontrata sa i përket Lojërave Olimpike jemi përballë me atë se a ti marrim a mos ti marrim, në qoftë se do të prisnim për tender do të humbte e drejta. Ne kemi qenë në situatë që kemi pas mundësi me i humb të drejtat. Negociatat RTK-ja i kishte bërë 7 muaj më herët, pra thjesht nuk ka shku në finale si procedurë një burimore por procedurat e tjera janë përcjellë. Këtë e di edhe Zyra e Auditorit”- ka thënë Ahmetxhekaj.

Kallxo.com ka raportuar më parë për pesë kontrata një burimore që i ka lidhur Radiotelevizioni i Kosovës gjatë vitit të kaluar.

Kontratat një burimore në RTK