Skender Hyseni në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Skender Hyseni në Gjykatë jep mbrojtjen përballë akuzave për mosdeklarim të pasurisë

Ish-koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, ka dhënë mbrojtjen e tij lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, lidhur me veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Hyseni, i cili kishte marrë mandatin si koordinator për dialog në mars të vitit 2020, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se vetura ishte blerë 1 vit e tre ose katër muaj para se ta merrte këtë mandat.

Vetura, sipas të akuzuarit, ishte blerë përmes xhirollogarisë së tij, e që ishte bartur në emër të gruas së tij, e cila, sipas tij, nuk nget veturë.

“Arsyeja themelore e blerjes së veturës ka qenë dhënia në shfrytëzim dhe përdorim fëmijëve tanë”- tha Hyseni.

I akuzuari tha se sipas dijenisë së tij, bashkëshortja kishte autorizuar fëmijët për ta ngasur veturën. Mbi këtë bazë Hyseni u shpreh i bindur se vetura tashmë i kishte kaluar në emër djalit të tij.

“Jo veç kam menduar, por kam qenë i bindur që vetura tashmë do të ishte e regjistruar në emrin e djalit tim të madh” – tha ai.

I akuzuari u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij, Fatlum Podvorica, nëse në vitin 2019, kur ishte blerë vetura, a kishte qenë i detyruar të bënte deklarimin e pasurisë.

“Jo, nuk kam qenë i obliguar, nuk kam pasë asnjë post politik apo ekzekutiv në institucione”- ishte përgjigjja e të akuzuarit.

I pandehuri tha se do ta bënte deklarimin e veturës në rast se do kishte njohuri se automjeti ishte në emër të bashkëshortes së tij.

“Me siguri po, sepse nuk kam pasë kurrë, nuk kam dhe sigurisht nuk do të kem kurrë arsye për të mos deklaruar diçka që me takon mua” – tha Hyseni

Skender Hyseni mohoi që ta ketë bërë me dashje këtë veprim.

I pyetur nga prokurori Besart Mustafa se a e ka ditur saktësisht se vetura është bartur te fëmijët e tij, Hyseni tha se kishte qenë i bindur se vetura ka qenë në emër të fëmijëve të tij deri në momentin kur Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) e kishte thirrur për të kërkuar sqarim të detajuar lidhur me këtë rast.

Lidhur me këtë rast në fillim të seancës gjyqësore ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari Besim Kelmendi, zyrtar në AKK.

Dhënien e fjalëve përfundimtare gjyqtari Sabit Sadikaj e caktoi për më 30 nëntor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, Skender Hyseni ka kryer veprën penale – mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë.

Sipas Prokurorisë, Skender Hyseni në gusht të vitit 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si koordinator.

Sipas aktakuzës, në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.