Gjykata vendos per ish-koordinatorin për dialog, Skender Hyseni

Gjykata e Prishtinës ka liruar nga akuzat ish-koordinatorin shtetëror për dialog, Skender Hyseni, lidhur me akuzat që rëndonin mbi të për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, lidhur me veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Sipas vendimit të gjykatës, nuk është provuar që i njëjti ka kryer vepren penale dhe se mjetet me të cilat është blerë automjeti i të pandehurit, nuk është provuar se rezultojnë nga ndonjë veprimtari e kundërligjshme.

Ky vendim u mor nga gjyqtari i çështjes, Sabit Sadikaj.

Hyseni, i cili kishte marrë mandatin si koordinator për dialog në mars të vitit 2020, gjatë dhënies së mbrojtjes tha se vetura ishte blerë 1 vit e tre ose katër muaj para se ta merrte këtë mandat.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, Skender Hyseni ka kryer veprën penale – mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë.

Sipas Prokurorisë, Skender Hyseni në gusht të vitit 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si koordinator.

Sipas aktakuzës, në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.