Prokuroria kërkon dënimin e ish-koordinatorit për dialog, Skender Hyseni

Gjykimi ndaj ish-koordinatorit për dialog, Skender Hyseni i akuzuar për mos deklarim të pasurisë, po vije drejt fundit.

Hyseni akuzohet se në pozitën e ish-koordinatorit në vitin 2020 nuk kishte deklaruar në regjistrin për deklarimin e pasurisë, një veturë të tipit Volskwagen e cila kap vlerën e 13 mijë eurove. Kjo veturë sipas prokurorisë del të jetë në pronësi të bashkëshortes së të pandehurit.

Prokuroria dhe mbrojtësi i të akuzuarit sot dhanë fjalët përfundimtare lidhur me këtë rast.

Prokurori, Besart Mustafa kërkoi nga gjykata që Hyseni të dënohet sipas ligjit, duke marrë për bazë rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Mustafa tha që i pandehuri mos deklarimin e veturës e ka bërë me qëllim.

“Pandehuri, Skender Hyseni në cilësi të ish-zyrtarit të lartë publik, koordinator shtetërorë për dialog në zyrën e kryeministrit me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formuarin për deklarimin e pasurisë. Duke i analizuar të gjitha provat, në përgjithësi, konsiderojmë se i pandehuri e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet sepse ekziston dashja. Sepse i pandehuri ka pasur njohur për blerjen e veturës, kur nuk e ka bërë verifikimin se a është ende në emër të bashkëshortes së tij”- tha Mustafa.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Skender Hyseni, Fatlum Podvorica në fjalën përfundimtare kundërshtoi në tërësi aktakuzën e prokurorisë meqenëse që sipas tij nuk mbështet në prova që prokuroria pretendon se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.

“Kjo vepër penale kryhet vetëm me dashje, dhe në rastin konkret i mbrojturi im nuk ka pas dashje që automjetin në fjalë mos ta deklaroj. Kërkojmë që konforom dispozitave ligjore të lirohet nga aktakuza”- tha Podvorica.

I pandehuri Skender Hyseni mbështeti në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.

Për këtë rast Skender Hyseni në seancën e shqyrtimit fillestar nuk kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Prishtinës, Skender Hyseni ka kryer veprën penale – mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë.

Sipas Prokurorisë, Skender Hyseni në gusht të vitit 2020 në cilësinë e zyrtarit të lartë publik – koordinator shtetëror për dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si koordinator.

Sipas aktakuzës, në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit thuhet se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen” në vlerë prej 13,300 euro, e cila është në pronësi të bashkëshortes së tij.