NISMA ia kushtëzon opozitës numrat për kuorum

NISMA Social Demokrate ia ka premtuar opozitës tre numrat e nevojshëm për ta arritur kuorumin në seancën për rezolutën me të cilën do të kufizohej tema e diskutimit gjatë dialogut Kosovë- Serbi.

Por për t’ia dhënë këta numra, shefi i Grupit Parlamentar të NISMA-s, Bilall Sherifi, ka thënë se opozita duhet të jetë në Kuvend me përbërje të plotë.

“Kur t’i bëjnë 58 deputetë opozita, unë së bashku me 2 deputetë tjerë kemi me shku edhe me i ba 61 deputetë”, tha Sherifi sot për KALLXO.com.

Opozita është duke tentuar për herë të dytë që ta bëjë seancën e thirrur në të cilën do të debatohej dhe votohej një rezolutë me të cilën Presidentit Thaçi i ndalohet të diskutojë në takimin e nesërm me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq rreth korrigjimit të kufijve.

Dy partitë në koalicionin qeveritar, PDK dhe AAK janë duke e bojkotuar këtë seancë ndërsa NISMA mban një qëndrim më të relaksuar.

“Nëse e dojnë mbështetjen e NISMA-s duhet me i pasë 58 deputetë. Ata e kane nisë lojën me numra, atëherë le t’i bëjnë numrat e tyre edhe na shkojmë”, tha Sherifi për KALLXO.com.

Aktualisht në sallë të Kuvendit janë 56 deputetë.