Kryetari i dorëhequr i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku
Nexhat Demaku: Aktakuza e Panevojshme
Demaku foli për aktakuzën në gjykimin ku bashkë me zyrtarët komunalë Ajet Demiri e Gani Halilaj akuzohet për shpërdorim detyre.
Demaku ngarkohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës se Drenasit duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat kur ka lidhur kontratë me Fadil Shishanin si qiramarrës në prill të vitit 2009 për dhënien me qira të banesës në Rrugën “Skënderbeu”.
Kryetari i Drenasit tha se kjo kontratë ishte lidhur me kërkesë të Shishanit dhe ishte kontratë me shkrim.
Sipas Demakut qëllimi i lidhjes së kësaj kontrate ka qenë identifikimi i asaj banese si pronë komunale.
Demaku tha se është befasuar nga kjo aktakuzë, ndërsa shtoi se po habitet me prokurorin, i cili duhet të kërkojë drejtësi.
Ai tha se është shqetësuar nga aktakuza, ngase është person publik, ndërsa është munduar të punojë në mënyrë të ndershme dhe të drejtë.
Demaku tha se mbrojti interesin publik, ndërsa nuk dëmtoi askënd.
Derisa Demaku akuzohet për lidhje të kontratës me Shishanin, dy zyrtarët komunalë Ajet Demiri si drejtor i Drejtorisë për Planifikim Urban e Mbrojtje të Mjedisit dhe Gani Halilaj si zyrtar për çështje banesore në Komunën e Drenasit së bashku i kanë tejkaluar kompetencat duke nxjerrë aktvendim me të cilin e kanë detyruar të dëmtuarën Zejnepe Buzhala që së bashku me familje ta lirojë banesën.
Kjo banesë i ishte dhënë çerdhes së Drenasit në shfrytëzim nga komuna, ndërsa me anë të kontratës së nënshkruar me Demakun, banesën e shfrytëzonte Fadil Shishani.
Në qershor të vitit të kaluar gjatë një seance të përmbarimit rreth kësaj banese pati të shtëna nga të cilat u plagos një person.
http://kallxo.com/plagosje-ne-drenas-gjate-seances-permbarimore/
Për problemet rreth kësaj banese “Drejtësia në Kosovë” shfaqi një emision në vitin 2013.