Gjykimi për vrasjen e dy zyrtarëve policorë – I akuzuari Alban Drezdari i bën pyetje të akuzuarit Bedri Krasniqit

Vazhdoi me dyer të mbyllura seanca e gjykimit të Bedri Krasniqit e Alban Dezdarit të akuzuar për vrasjen e një polici të Kosovës dhe një polici të UNMIK-ut.

Në seancën e sotme i akuzuari Dezdari e dha mbrojtjen e tij lidhur me akuzat e Prokurorisë Speciale për vrasje, mirëpo i njëjti kërkoi që seanca të jetë e mbyllur për publikun.

Avokati Florent Latifi, mbrojtës i Dezdarit, e arsyetoi këtë kërkesë me faktin se në mbrojtje do të përmenden edhe emra të heronjve kombëtar, kurse i akuzuari tha se me përmendjen e këtyre emrave do të i vështirësohet dhënia e mbrojtjes.

Dezardi gjithashtu tha se dhënia e mbrojtjes së tij mund të rrezikojë familjarët e tij.

“Për mu nuk mundet me u rreziku se jam ne burg, por familja mundet me u rreziku” – tha Dezdari në Gjykatë.

Por para se të jepte mbrojtjen e tij, Alban Dezdari ka parashtruar disa pyetje për të akuzuarin tjetër, Bedri Krasniqi.

Me përgjigjet në pyetjet e të bashkë-akuzuarit, Bedri Krasniqi rrëfeu se si kishte rrjedhur ngjarja e konfliktit sipas tij, në mes të tani të ndjerit Agron Sylejmanit dhe një personi me emrin B.Sh.

“Po, pasi jemi kthy prej , pasi që jena kthy në Mitrovicë, në mes të B.Sh edhe Agron Sylejmanit ka ndodhë një konflikt së pari verbal, atëherë ka qenë edhe fizik”.. “unë kam qenë diku 7 – 8 metra apo 10 larg në grupin tim kur kanë fillu shokët e te dyve me u largu sepse u nxorën armët, unë kam ndërhy edhe ia kam kapë armën Agron Sylejmanit, pistoletë edhe i kam nda” – tha Krasniqi para trupit gjykues.

Në këtë çështje trupi gjykues është në përbërje nga Arben Hoti – kryetar, Valon Kurtaj dhe Mentor Bajraktari – antarë.

Kurse akuzën e Prokurorisë e përfaqëson Prokurorja Speciale – Habibe Salihu.

Ndërkaq, në seancën e fundit të mbajtur me 21 korrik të këtij viti mbrojtjen e dha i akuzuari Bedri Krasniqi.

Kjo nuk është hera e parë që seancat e këtij gjykimi procedojnë pa prezencën e publikut.

Dy seanca të njëpasnjëshme në maj dhe qershor të këtij viti ishin mbyllur me kërkesë të dëshmitarit të mbrojtjes  – Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vite burgim.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Të akuzuar të tjerë në këtë rast për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, ata ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiçmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.