Komuna e Drenasit - Foto: Facebook/ Komuna e Drenasit

Veprimi i Komunës së Drenasit që shmangi bllokimin e tenderit në OSHP

Komuna e Drenasit i ka rivlerësuar ofertat për tenderin për “Mirëmbajtje të Deponisë Inerte” vetëm duke u bazuar në rekomandimet e ekspertit shqyrtues.

Rivlerësimi i ofertave bazuar në rekomandimin e ekspertit shqyrtues i ka mundësuar kësaj komune që të procedojë me nënshkrim të kontratës dhe të shmangë zvarritjen e procedurës së prokurimit në kohën kur bordi i OSHP-së ishte jofunksional.

Pas rivlerësimit të ofertave, Komuna e Drenasit e ka kthyer në garë kompaninë ankuese dhe të njëjtën e ka rekomanduar për kontratë.

Eliminimi i ofertës më të lirë

Me 21 janar 2022, Komuna e Drenasit kishte hapur tenderin “Mirëmbajtja e Deponisë Inerte”. Vlera e parashikuar e tenderit ishte 35 mijë euro.

Për këtë tender Komuna kishte marrë katër oferta. “Kastrati – L” kishte ofertuar me çmim prej 28 mijë e 944 euro; “Milazim Shala” kishte ofertuar me 32 mijë e 300 euro; “Prishtina Asfallt” kishte ofertuar me 26 mijë e 905 euro; dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Hazir Tërdevci” dhe “Progres” kishin ofertuar me 29 mijë e 837 eurove.

Fitues të tenderit ishin shpallur këta të fundit, pra grupi i operatorëve ekonomikë “Hazir Tërdevci” dhe “Progres”.

Kompania “Milazim Shala” ishte vlerësuar se nuk e ka dorëzuar ofertën më të lirë të përgjegjshme.

“Prishtina Asfallt” ishte eliminuar për shkak se ndër të tjera, nuk kishte dorëzuar një dëshmi të licencës dhe se nuk kishte një kontratë me ndonjë kompani të licencuar për deponinë të mbeturinave.

Kurse kompania “Kastrati – L” ishte eliminuar me arsyetimin se i mungonte licenca kompanisë që e kishte prezantuar, se ka marrëveshje për deponimin e mbeturinave.

Por këta të fundit kishin bërë kërkesë për rishqyrtim fillimisht pranë Komunës, bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit.

Komuna e Drenasit kishte vendosur që t’ia refuzojë kërkesën për rishqyrtim kompanisë “Kastrati-L”.

“Autoriteti Kontraktues ka analizuar kërkesën për rishqyrtim dhe e hedhë poshtë si e pabazuar. Duke u bazuar në arsyet e eliminimit të OE “Kastrati- L” ju njoftojmë që arsyet janë të qëndrueshme dhe se pas kërkesës për sqarime nga Zyra e Prokurimit ju nuk i keni përmbushur kërkesat e caktuara” – thuhet në vendimin e Komunës së Drenasit.

Pas refuzimit të kërkesës për rishqyrtim, OE “Kastrati-L” ka dorëzuar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), më 22 mars 2022.

Në atë kohë OSHP-ja nuk kishte bord funksional, mirëpo sekretariati i këtij institucioni secilën ankesë kishte kompetencë t’ia ndante një eksperti shqyrtues për shqyrtim.

Eksperti shqyrtues i caktuar për shqyrtimin e ankesës së kompanisë “Kastrati-L”, kishte konstatuar se Komuna e Drenasit e kishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme kompaninë “Kastrati-L”, duke rekomanduar që lënda të kthehet në rivlerësim.

Në faqen e OSHP-së nuk është cekur që na kanë marrë ndonjë përgjigje nga kompania ankuese dhe Autoriteti Kontraktues, pra nëse e kanë pranuar rekomandimin e ekspertit shqyrtues apo jo.

Në kohën kur është marrë ky vendim, bordi i OSHP-së ka qenë jofunksional dhe për pasojë janë bllokuar të gjitha tenderët për të cilët kishte ankesa. Por, Komuna e Drenasit ka vendosur të veprojë në përputhje me rekomandimet e ekspertit shqyrtues duke e kthyer lëndën në rivlerësim.

Çka thotë ekspertiza?

Kompania “Kastrati-L” kishte prezantuar kontratë për shërbime me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), një ndërmarrje publike qendrore që funksionon për menaxhimin e mbeturinave në vendin tonë.

Në dosjen e tenderit ishte kërkuar që ofertuesi duhet që si dëshmi të prezantojë që kompania me të cilën ka marrëveshje, të ketë edhe licencën.

Në rastin konkret, KMDK-ja i ishte përgjigjur Komunës së Drenasit, duke sqaruar se me “Kastrati-L” kanë kontratë për shërbime, ndërsa në lidhje me licencën, ajo kishte thënë se është ndërmarrje e themeluar nga Qeveria e cila është pronare aksionare me kapital publik, si dhe kishte paraqitur një shkresë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në shkresë thuhej se meqenëse procesi i shqyrtimit dhe dhënies së lejes mjedisore të integruar kërkon një kohë të konsiderueshme, Ministria kishte njoftuar se KMDK-ja si kompani e nivelit qendror deri në marrjen e lejes, mund të operojë dhe kryejë funksionin e saj.

Ekspertja shqyrtuese e caktuar nga OSHP-ja kishte konsideruar se Komuna e Drenasit duhet që të kërkojë informata shtesë, se KMDK-ja a ka licencë apo jo.

Një pretendim tjetër i “Kastrati-L” ishte se disa nga referencat e prezantuara nga grupi i operatorëve ekonomikë që kishte marrë tenderin, nuk ishin valide.

Ekspertja shqyrtuese kishte konsideruar se ato lehtë mund të verifikoheshin, pasi ishin nga i njëjti Autoritet Kontraktues, pra Komuna e Drenasit dhe se këtë Komuna do të mund ta bënte gjatë rivlerësimit të tenderit.

Kurse pretendimi i tretë ishte që grupi i operatorëve ekonomikë që kanë fituar tenderin, kishin paraqitur se kanë marrëveshje për deponimin e mbeturinave, Kompania Rajonale të Mbeturinave “Uniteti”, nuk kishte licencë për menaxhimin e mbeturinave inerte.

Por këtë pretendim ekspertja e ka hedhur poshtë, duke thënë se në dosjen e tenderit nuk është specifikuar lloji i licencës për mbeturina.

Rrjedhimisht në fund, ekspertja shqyrtuese kishte miratuar pjesërisht si të bazuar ankesën e “Kastrati-L” dhe kishte rekomanduar që lënda të kthehej në rivlerësim. Por në mungesë të bordit të OSHP-së, lënda nuk kishte marrë trajtimin meritor.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Adyl Mziu, ka thënë se një pjesë e projektit për mirëmbajtjen e deponisë është nga një grant qeveritar dhe se projekti ishte dyvjeçar.

“Kanë qenë tetë dëgjime publike me qytetarët, si dhe është bërë deklarata e disponueshmërisë së mjeteve financiare” – ka thënë ai.

Por në fund, edhe pse nuk kishte vendim meritor nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit për këtë lëndë, Komuna e Drenasit kishte marrë parasysh mendimin e ekspertes shqyrtues, duke e rivlerësuar lëndën.

Pas rivlerësimit të lëndës, kompania që ishte rekomanduar për kontratë ishte pikërisht “Kastrati-L”. Kontrata me këta të fundit ishte nënshkruar më 21 prill 2022 me çmimin prej 28 mijë e 944 eurove.

Katër muaj pasi ishte nënshkruar kontrata, bordi i ri i OSHP-së kishte vendosur që mos t’i shqyrtojë ankesat e bizneseve që ishin pranuar gjatë kohës sa bordi ka qenë jofunksional.

“Hidhet si e jashtafatshme për shqyrtim, ankesa e operatorit ekonomik: N.T.SH. “Kastrati-L”” – thuhet në vendimin e OSHP-së.

Ky artikull është shkruar nga Bekim Olluri përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.