Seanca gjyqësore ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për akuzën për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: Kallxo.com

Rasti i vrasjes së Bedri Rexhepit, me kërkesë të prokurorisë shtyhet seanca për muajin tetor

Seanca e paraparë që të mbahet të premten në Gjykatën e Prishtinës ndaj vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi ka dështuar të mbahet.

Kjo për shkak që në këtë seancë nuk u paraqit dëshmitari Ismet Rexhepi, dëshmia e të cilit kishte mbetur në gjysmë nga seanca e kaluar e mbajtur në korrik të këtij viti.

Sipas prokurorit të çështjes, Armend Hamiti, ky dëshmitar kishte shkuar në një takim zyrtar për të përfaqësuar Kosovën në një federatë, të cilën është kryetar.

“Po të kishte pasur arsye personale do të vinte, por ka shkuar të përfaqësojë shtetin” –  u shpreh prokurori Hamiti para trupit gjykues.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për Federatën e Autosporteve të Kosovës.

Përveç mungesës së dëshmitarit në fjalë, problem ishte edhe mungesa e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha.

I njëjti kishte njoftuar gjykatën më 29 gusht të këtij viti, se për shkak të angazhimeve nuk mund të jetë prezent, me ç’rast kishte kërkuar shtyrjen e seancës.

Trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi, kryesuese e trupit dhe Ngadhnjim Arrni e Agim Kuci anëtarë – njoftuan se kanë pranuar këtë shkresë nga ana e avokatit, kurse për mungesën e të njëjtit, pala e dëmtuar nuk kishin qenë të njoftuar.

Kurse, mbrojtja e të akuzuarve, Jeton e Nexhat Vllasaliu, avokat Shemsedin Piraj dhe Ndrec Dodaj nuk kundërshtuan kërkesën e prokurorit të çështjes, duke u shprehur se tejkalimi i dëshmitarit në dëshmitarë tjerë pa përfunduar dëshminë e tij, mund të ketë shkelje procedurale.

Trupi gjykues i lartpërmendur me aktvendim pranoi lutjen e prokurorit për shtyrjen e seancës, pasi mori edhe qëndrimin e palëve në procedurë, dhe seanca e radhës u caktua më datë 5 tetor të këtij viti.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta biznesmenin nga Prishtina, Bedri Rexhepin.

E tëra kjo, sipas Prokurorisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Tutje sipas të njëjtës dosje, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas dosjes, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e privon nga jeta Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar veturën e Bedri Rexhepit në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.

E me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.