Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari përmend Demaçin dhe Kurtin

Shqyrtimi gjyqësor i të hënës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të 20-të, i identifikuar me kodin 04368.

Fillimisht, dëshmitari pohoi se kishte dhënë dëshmi para institucioneve në Kosovë në vitin 2000 dhe para ZPS-së në shtator të vitit 2019.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, paraprakisht e lexoi një përmbledhje të dëshmisë së dëshmitarit, që thuhej se në vitin 1998, disa anëtarë të armatosur të UÇK-së kishin shkuar në shtëpinë e dëshmitarit dhe familjes së tij dhe kishin marrë të afërmin e tij për marrje në pyetje.

Dëshmitari dhe të afërm të tjerë kishin shkuar në shtabin lokal të UÇK-së dhe kanë kërkuar informata nga anëtarë të UÇK-së për të afërmin e tyre por se ata nuk e kanë parë më dhe eshtrat e të njëjtit nuk janë gjetur asnjëherë.

Dëshmitari u pyet se si i afërmi numër 1 kishte treguar mbështetje për UÇK-në, si i kishte trajtuar ai njerëzit në fshatin e tij, marrë parasysh faktin se kishte qenë person me ndikim por përgjigja e dëshmitarit ka qenë me përmbajtje të redaktuar.

Tutje, dëshmitari tha se ‘‘Jo s’kemi marrë, kurrë s’kemi marrë informatë prej UÇK-së dhe nuk e dimë ende, ende se kemi kuptuar’’, kur u pyet nëse kishin marrë ndonjë përgjigje zyrtare se pse UÇK-ja e kishte marrë të afërmin numër 1.

Dëshmitari sërish pohoi që prej kur ishte marrë i afërmi i tij më 1998 nga UÇK-ja, të njëjtin nuk e kanë parë dhe asnjëherë nuk kanë gjetur eshtrat e të njëjtit.

Edhe përgjigjet e dëshmitarit në pyetjet nga ana e mbrojtësit të viktimave Simon Laws, kanë qenë me përmbajtje të redaktuar.

Tutje, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me pyetjet nga ana e mbrojtjes së Thaçit, avokatit mbrojtës Gregory Kehoe.

Dëshmitari u pyet nëse i njihte personat e fshatit të tij, të cilët ishin të kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmitari tha se ‘‘personat e fshatit tim i njoh’’.

Tutje, Kehoe e ka pyetur dëshmitarin lidhur me rastin kur kishte shkuar bashkë me persona tjerë për të takuar Adem Demaçin dhe nëse kishte folur me Albin Kurtin, atëkohë asistent i Demaçit.

‘‘Demaçi nuk ka dalë prej zyrës, Kurtin e adhuroj sot se është një kryeministër shumë i mirë por nuk kam pasur muhabete me Kurtin as me Demaçin. Demaçi nuk na ka pranuar sepse e ka ditur situatën se si është dhe nuk na ka pranuar’’, tha dëshmitari.

Kur dëshmitari u pyet tutje për raportin e tij me Kurtin, pjesa më e madhe e kësaj përgjigjeje ka qenë me përmbajtje të redaktuar.

Përmbajtje të redaktuar, ka pasur edhe kur dëshmitari u pyet për periudhën kohore të kidnapimit të të afërmit me numër 1.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, një pjesë e shkurtër bëhej publike ndërsa pa u kuptuar pyetja apo përgjigja e tërësishme, gjykata vendoste përmbajtjen e redaktuar.

Dëshmitari gjatë kësaj seance, pohoi se të afërmit numër 1 dhe numër 2 kishin paguar serbët që mos ta fusnin në burg të afërmin numër 2, ndërsa i afërmi numër 1 kishte qenë i përfshirë me njerëzit e tjerë të fshatit, për të ditur se sa para donin serbët që mos t’i merrnin në burg.

Tutje dëshmitari, në pyetjet e mbrojtjes së Selimit, avokatit mbrojtës Eric Tully, i njëjti tha se nuk i kujtohet të ketë thënë se kidnapimi ishte bërë në sensin që të ishte shembull tek të tjerët dhe të nxiste ‘terror’ mes njerëzve të fshatit.

Dëshmitari, deklaroi se gjatë dhe pas luftës kishte qenë përkrahës i LDK-së, por që tani e mbështet Lëvizjen Vetëvendosje.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.